Një rubin prej 11.000 karatësh, i karakterizuar nga një pastërti mineralogjike dhe një ngjyrim jashtëzakonisht i rrallë, është zbuluar në Myanmar (ish-Birmani), në luginën e Mogok-ut, shkruan geopop.it.
Ai është rubini i dytë më i madh i gjetur ndonjëherë në të ashtuquajturën “Lugina e Rubinëve”, si edhe një nga gurët e çmuar me cilësinë më të lartë të zbuluar ndonjëherë në botë.
Megjithëse peshon rreth 11.000 karatë (2,2 kg) – pothuajse gjysma e ekzemplarit që mban rekordin botëror – rubini i zbuluar në prill të vitit 2026 mund të ketë, sipas ekspertëve, një vlerë edhe më të lartë.
Ajo që e dallon nuk janë vetëm përmasat, por mbi të gjitha cilësia e tij: ngjyra e fortë dhe e ndritshme, që varion nga e kuqja në të kuqe-vjollcë me nuanca të lehta të verdha, kombinohet me një shkëlqim qelqor, një pastërti të lartë kimiko-mineralogjike dhe një transparencë mesatare.Sipas vlerësimeve të para, edhe para prerjes dhe përpunimit, vlera e tij mund të kalojë 5 milionë dollarët.
Zbulimi u bë në luginën e Mogok-ut, e njohur në mbarë botën për pasurinë e jashtëzakonshme me gurë të çmuar, çka i ka dhënë edhe emrin “Lugina e Rubinëve”.
Rubinët gjenden kryesisht në shkëmbinj metamorfikë, si mermeri, dhe mendohet se zbulimet e para në këtë zonë datojnë rreth 2 000 vjet më parë.
Nga e njëjta zonë vijnë edhe gurë të tjerë të famshëm, si rubini SLORC, i zbuluar në vitin 1990 me peshë 496,25 karatësh, dhe rubini NaSaKa, i nxjerrë në vitin 2022, me mbi 2.789 karatë, ose rreth 557 gramë.
Ky zbulim i fundit konfirmon edhe një herë statusin e Mogok-ut si një nga rajonet më të pasura dhe më të rëndësishme në botë për nxjerrjen e rubinëve me cilësi të jashtëzakonshme.