Xhaka ftohet në Botërorin e tij të katërt me Zvicrën
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Xhaka ftohet në Botërorin e tij të katërt me Zvicrën
Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, do të marrë pjesë në Kupën e Botës për herë të katërt radhazi në karrierën e tij, pasi është përfshirë në listën zyrtare të përzgjedhësit Murat Yakin për turneun që këtë verë zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Xhaka, i cili mban rekordin si lojtari me më së shumti paraqitje histori te Zvicra (144 ndeshje), udhëheq një listë të eksperimentuar prej 26 futbollistësh, ku bëjnë pjesë edhe yje të tjerë të Premier League si Dan Ndoye (Nottingham Forest) dhe Noah Okafor (Leeds United). Përveç Xhakës, Botërorin e katërt radhazi do ta regjistrojë edhe mbrojtësi Ricardo Rodriguez.
"Mendoj se kemi përzgjedhur lojtarët më të mirë të mundshëm dhe mezi po pres të fillojmë nga puna," u shpreh trajneri Murat Yakin gjatë konferencës për media këtë të mërkurë, raporton Fabrizio Romano.
Zvicra do të nisë përgatitjet të hënën, ku para fillimit të Botërorit do të zhvillojë dy miqësore ndaj Jordanisë dhe Australisë.
Zvicerranët janë pjesë e Grupit B, ku rrugëtimin e tyre do ta nisin më 13 qershor kundër Katarit, për të pasur pastaj punë me Bosnjë-Hercegovinën dhe Kanadanë.
KosovaPress