Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni do vizitojnë Lampedusën të dielën.
Meloni e ka ftuar von der Leyen të shkojë në Lampedusa, maja më jugore e Italisë, për të parë vetë shkallën e emergjencës së emigrantëve.
Meloni tha në një video-mesazh të premten se Italia është nën "presion të paqëndrueshëm" për shkak të numrit të madh të anijeve me emigrantë që mbërrijnë nga Afrika e Veriut në Lampedusa.
Kryeministrja tha gjithashtu se qeveria e saj do të miratojë masa të jashtëzakonshme për t'u marrë me emergjencën në një takim të kabinetit të hënën, ajo shtoi se i kishte shkruar presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel duke kërkuar që çështja e emigrantëve të ishte në agjendën e samitit të BE-së në tetor, duke thënë se ajo do të kërkonte një mision evropian për të ndaluar nisjen e anijeve me emigrantë.
Ajo tha se koha maksimale që azilkërkuesit mund të mbahen në qendrat e pritjes do të mbetet 12 muaj.
Meloni njoftoi gjithashtu se ministria e mbrojtjes do të krijojë qendra të reja pritjeje për emigrantët. (ANSA).