Kosova ka problem të madh mjedisor, me sipërfaqe, ajër dhe tokë të ndotur, prandaj mbrojtja mjedisore duhet të vendoset në prioritet për Kosovën, ka thënë të martën në Prishtinë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Von Cramon theksoi se ka ardhur koha për një strategji të energjisë që do t’ia hap rrugën dekarbonizimit dhe për më shumë energji të ripërtëritshme.
Në konferencën “Java për zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë”, që po mbahet në Prishtinë, Cramon tha se interesi i përbashkët është që të futet i tërë Ballkani Perëndimor në një energji të gjelbër dhe të qëndrueshme, pasi që sipas saj, një prej hapave kryesor në këtë rrugëtim është tranzicioni energjetik.
“Ndotja nuk njeh kufi dhe termocentralet vrasin edhe qytetarët, kjo është arsyeja pse është në interesin tonë të përbashkët që ta shohim Ballkanin si një vend të gjelbër dhe të qëndrueshme. Në një prej hapave kryesor në këtë rrugëtim është tranzicioni energjetik. Dhe në kohën e luftës ruse kundër Ukrainës, gjë që është qartë - luftë kundër energjisë të ripërtëritshmeve dhe për lëndën fosilike. Evropa ka identifikuar që duhet të jetë e pavarur sa i përket energjisë, këtë duhet ta shohim edhe në Kosovë, po ashtu edhe në tërë rajonin. Kam qenë në Beograd dhe kjo ka qenë një prej çështjeve të cilën e kam diskutuar me presidentin Vuçiq për t’u informuar. Jam në këtë temë kudo. Ka ardhur koha përfundimtare me dalë me një strategji e që është pritur për një kohë të gjatë, por është përmendur këtu në këtë paragraf, por askush nuk ka parë asgjë sa i përket strategjisë së energjisë deri më tani. Po shpresoj që do të zbulojmë më shumë për këtë së shpejti. Shpresoj që kjo strategji do të shtrojë rrugën për dekarbonizimin e përzierjes energjetike të Kosovës dhe të hap derën për më shumë energji të ripërtritshme. Duhet të mendojmë me perspektiva më afatgjatë dhe ta kuptojmë që thëngjilli, jo vetëm që i vret qytetarët, por edhe ekonominë. Për këtë arsye e inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që strategjia e energjisë të jetë kompatibile me marrëveshjen e gjelbër evropiane”, theksoi ajo.
Bislimi ka thënë se Qeveria ka miratuar projektligjet që i përkasin mbrojtjes së mjedisit, derisa shtoi se strategjia për mbrojtjen e mjedisit që pritet të finalizohet deri në fund të vitit, synon ruajtjen e mjedisit, ajrit dhe biodiversitetit.
“Si ekzekutiv jemi siguruar që strategjia e energjisë të synojë përmirësimin e qëndrueshmërisë dhe sigurisë së sistemit elektro-energjetik, të parasheh dekarbonzimin dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme, rritjen e efiçiencës së energjisë dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal në funksionimin e tregut energjetik. Momentalisht jemi duke punuar në draftimin e strategjisë për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillim të qëndrueshëm 2022-2030, që synon ruajtjen e mjedisit, ajrit, biodiversitetit dhe kjo strategji pritet të finalizohet deri në fund të vitit 2022”, tha Bislimi.
“Si Kuvend nuk kemi shumë njohuri se çka ka ndodhur me procesin e hartimit, as të planit e as të strategjisë, por që besojmë që në një momentum të tillë çfarë janë parametrat numerikë të mazhorancës në Kuvend, nuk ka asnjë barrierë që këto procese të ecin përpara… Edhe investimet që janë dashur të bëhen dikur në sektorin e energjisë janë stopuar për arsye të ndryshme dhe që sot unë do të dëshiroja të di se investimet e reja në kuptimin e strategjisë që do të na vije, a do të jenë përsëri ato projekte që janë stopuar dikur apo do të jenë të orientuar njëmend në strategjinë e ripërtëritshme dhe në energjinë e gjelbër. Prandaj, kjo është sfida që do ta kemi kur këto dy dokumente do të vijnë në Kuvend”, theksoi Hoxha.
Në konferencë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, tha po ashtu se menaxhimi i ujit, gjithnjë e më shumë është nën kërcënimin e ndryshimeve klimatike, vuan nga rrjetet jo të plota të monitorimit të burimeve ujore. Ajo tha se nevojiten përpjekje urgjente për të siguruar që Autoriteti i Qarkut të Basenit Lumor të bëhet funksional. Cramon po ashtu vuri theksin edhe te parqet kombëtare, dhe zonat e mbrojtura, të cilat sipas saj janë të goditura nga ndërtimet pa leje.