Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar rreth vizitës së tij në Bled të Sllovenisë ku ka marrë pjesë në Forumin Strategjik. Ai ka njoftuar për takimet e mbajtura dhe ka theksuar se e ka përmbyllur pjesëmarrjen atje "me më shumë shpresë për të ardhmen e ndritur të Kosovës”.
Derisa ka përmendur takimin me Stuart Peach, Kurti ka thënë se kanë diskutuar për bashkëpunimin rajonal, çështjet aktuale dhe procesin e dialogut.
Ai ka shkruar se “me mesazhet për BE-në të një unioni vlerash dhe parimesh të përbashkëta, kërkesën që Ballkani Perëndimor të fokusohet në reforma dhe sundim të ligjit dhe vizionin e ofruar për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor deri më 2030, përmbyllëm pjesëmarrjen në Forumin Strategjik të Bledit me më shumë shpresë e besim për të ardhmen e ndritur të Republikës tonë”.