Viti 2025 nis me rritje çmimesh, këto janë produktet e shtrenjtuara
Lajme
Lexohet për: 3 min.
rriten cmimet
1 ditë më parë
Linku u kopjua

Viti 2025 ka nisë me lajme jo të mira për qytetarët e vendit sa i përket çmimeve. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit janë ngritur prej 1,5 për qind në muajin janar 2025, krahasuar me muajin janar të vitit të kaluar. Derisa, norma e inflacionit mujor ishte 0,7 për qind në muajin janar 2025.

Sipas ASK-së rritja e çmimeve është ndikuar kryesisht nga disa kategori kryesore të konsumit.

Në krahasim me dhjetorin 2024, çmimet janë rritur më së shumti te perimet, energjia elektrike, duhani, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, kafeja, çaji dhe kakao, si dhe produktet e tjera ushqimore si mishi dhe pemët.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit: perimet 5,2%, energjia elektrike 2,8%, duhani 2,5%, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal 2,3%, kafja, çaji dhe kakao 1,9%, mishi 1,8%, pemët 1,7%, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. 1,0% dhe qumështi, djathi dhe vezët (0,6%) dhe me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,8 për qind në IHÇK-it", thuhet në raportin e ASK-së.

Në krahasim me janarin e vitit të kaluar, çmimet janë rritur ndjeshëm për disa kategori të mallrave dhe shërbimeve.

Ndër produktet dhe shërbimet me rritjen më të lartë të çmimeve janë kafeja, çaji dhe kakao, vajrat, si dhe shërbimet për transportin personal.

Po ashtu, çmime më të larta janë regjistruar për pijet joalkoolike, gazetat dhe materialet për zyra, shërbimet financiare, mishi dhe produktet e qumështit.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit: kafja, çaji dhe kakao 14,6%, vajrat dhe yndyrat 8,3%, shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit 7,6%, uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet 6,1%, gazetat, librat dhe materialet për zyra 5,4%, shërbimet financiare 5,2%, qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës 5,1%, mishi 4,6%, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 4,0%, pijet alkoolike 3,9%, qumështi, djathi dhe vezët 3,0%, veshje 2,9%, duhani 2,9%, perimet 2,5%, kujdesi personal 2,5%, buka dhe drithërat 2,1% dhe shërbimet hoteliere 2,1% me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2,1 për qind në IHÇK-it", njofton ASK.

Inflacioni në Kosovë kishte arritur kulmin me një normë vjetore prej rreth 12 për qind në vitin 2022.

Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te biletat e fluturimeve prej 6.4 për qind.

Ditë më parë, qytetarë të shumtë i janë bashkuar iniciativës për bojkotimin e supermarketeve si rrjedhojë e rritjes së vazhdueshme të çmimeve në Kosovë.

https://kosovapress.com/rritja-e-cmimeve-qytetare-te-shumte-bojkotojne-supermarketet-ne-kosove

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025