Vetëvendosje nga Veriu: Personi që i bëri ballë rezistencës, ishte Albin Kurti
Pa lejen e komunës së Mitrovicës së Veriut, Lëvizja Vetëvendosje, me himn kombëtarë e atë shtetërorë, ka mbajtur tubim zgjedhor. Në këtë tubim u tha se qytetarët e Mitrovicës së Veriut, 25 vite janë lënë anash.
Kandidati për deputet nga LVV, Armend Muja tha se qytetarët e veriut meritojnë bust të veçantë për qëndrueshmërinë, ani pse sipas tij nuk ka pasur shtet për ta për 25 vite.
“Ne e patëm një tubim përmbyllës në Mitrovicë, por rendi e donë dhe liria jonë politike e demokracia që të bashkëbisedojmë edhe me ju, sepse jeni shumë të veçantë për ne, në çdo aspekt. Për shkak se ju 25 vite keni qëndrua edhe kur jeni lënë vetëm. Nuk ka pasur shtet për ju, ju keni qëndrua. E tash e tutje, ju e meritoni një bust të veçantë për qëndrueshmërinë. Nëse ka kuptim fjala rezistencë, qëndrueshmëri në kushte të jashtëzakonshme e medalja u takon banorëve në pjesën veriore”, tha Muja.
Muja tha se parimi i LVV-së është të shtrijnë sovranitetin e të qeverisin autoritetin shtetëror, në çdo cep të territorit të Kosovës, ashtu siç thuhet në Kushtetutë.
Më tej, Muja tha se ekonomia do rikthehet me Trepçën, e cila do bëhet me një kompani nga një shtet aleat.
Sipas Mujës, personi që ka qenë ballë rezistencës ka qenë Kurti, e për të, i detyrohen përjetësisht.
“Ne kemi qëndruar në parime tona dhe parimi është që ne duhet të shtrijmë sovranitetin dhe të qeverisim autoritetin shtetëror, në çdo cep të territorit ashtu siç thotë Kushtetuta jonë. Nuk jemi kundër askujt, por jemi për lirinë që e garanton Kushtetuta... Neve na duhet me rikthye industrinë për me rikthye Mitrovicën, përqendrimi primarë është zhvillimi ekonomik me Trepçën në bosht. Potenciale tjera ka, edhe për bujqësi, përpunim, teknologji, universitete por e rëndësishme është rikthimi i Trepçës dhe kjo do të bëhet me një kompani të madhe nga një shtet aleat. Ne na kanë thënë se sovraniteti e ushtria janë problem, se janë nisur nga vetja, por ja ku jemi. Personi që ka qenë ballë kësaj rezistence ka qenë Albin Kurti, që e ka udhëhequr këtë transformim të madh dhe ati i detyrohemi përjetësisht”, tha Muja.
Edhe kandidatja tjetër për deputete, Arjeta Fejza lavdëroi shefin e saj të partisë, Kurtin.
Fejza tha se në krye me Kurtin, qeveria ka pasur përkushtim të madh për veriun e vendit.
“Ju të gjithë e dini përkushtimin të cilin Lëvizja Vetëvendosje, qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, e ka pasur për këtë anë, të gjithë ju, mund t’i numëroni sukseset, më mirë se ne, të cilat janë meritë e juaja dhe e qeverisë, e cila nuk hoqi dorë asnjëherë për mirëqenie, dinjitet e sovranitet. Qeveria Kurti e ka gjithmonë në fokus mirëqenien e vajzave dhe grave. Në programin tonë për Kurti 4 ka masa të veçanta të cilat prekin direkt mirëqenien e vajzave dhe grave. Super puna për gratë, ka për synim të integroj gratë në tregun e punës. Të gjitha gratë të cilat nuk janë të integruara apo dëshirojnë të rikthehen, nëpërmjet super punës për gra do ju mundësohet që të arrijnë deri te vendi i punës. Qeveria për gjashtë muaj do subvencionoj pagën bazë për të gjitha bizneset të cilat punësojnë gra. Shtesat për nëna lehona tash janë 500 euro, shtesat për fëmijë do bëhen 60 euro”, tha Fejza.
Për këtë tubim të mbajtur sot, komuna e Mitrovicës së Veriut ka refuzuar kërkesën e Vetëvendosjes për mbajtën e tubimit.
Sipas VV, ata kanë përmbushur të gjitha procedurat e nevojshme për organizmin e tubimit, duke siguruar lejet nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve dhe Policia e Kosovës.
Nesë, e diel mbahen zgjedhjet e parlamentare në Kosovë. /A. Shala/
/Kosovapress/