Përkundër që sot në Istog është më qetë dhe nuk ka vërshime të tjera, zjarrfikësit ende po ndihmojnë qytetarët për largimin e ujit nga bodrumet e tyre, e dëmet materiale kryesisht bujqësore po vlerësohen të jenë të mëdha.
Skender Hasangjekaj, udhëheqës i sektorit për mbrojtje dhe shpëtim në Istog, tha për KosovaPress, se sot është situata më e qetë krahasuar me dje. Ai tha se 16 fshatra të kësaj komune, përfshirë edhe qendrën e Istogut, janë përfshirë nga vërshimet e djeshme si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.
Derisa ka shtuar se momentalisht situatën e kanë nën kontroll, Hasangjekaj tha se për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara tashmë janë krijuar komisionet përkatëse.
“Dëmet janë relativisht të mëdha. Kryetari ka formuar tri komisione të ndara nga shërbime publike për infrastrukturë dhe objekte të banimit dhe bujqësi”, tha ai.
Lidhur me mbarëvajtjen e mësimit në tri shkollat që sot për shkak të gjendjes së krijuar nuk kanë mbajtur mësim, ai tha se nga nesër do të vazhdojë mësimi normalisht.
“Për ditën e sotme është vlerësuar se tri nga shkollat për ditën e sotme kanë qenë gjimnazi, shkolla ‘Bajram Curri’ dhe shkolla e Rakoshit nuk kanë mbajtur mësim… Besojmë që për momentin siç është situata gjatë ditës së sotme, do të vijojë mësimi edhe në këto shkolla”, theksoi Hasangjekaj.
“Dëmet janë goxha të mëdha, sepse këtu e kemi bodrumin, kemi pajisjet për ngrohje qendrore, peletin dhe mjete të tjera… Vetëm zjarrfikësit (kanë qenë), sepse komuna nuk ka qenë ende asnjë inspektim asgjë nuk është bërë… Diku 10-12 mijë euro (dëmet)”, tha ai.
KosovaPress gjatë ditës se sotme ka vizituar edhe komunën e Gjakovës dhe Pejës për të parë situatën. Nga zyrtarë të këtyre komunave u tha se situata tani është me stabile. Ndërsa, komuna e Vushtrrisë sot ka shpallë gjendje emergjente për shkak të situatës me vërshime.