Policia e Shtetit infirmoi se ka ekzekutuar 14 masa sigurie për shtetas të implikuar në veprimtarinë kriminale në fushën e mashtrimeve kompjuterike.
Policia bëri të ditur se janë sekuestruar pajisje të ndryshme kompjuterike, aparate celulare, USB dhe pajisje të tjera për prodhimin e bitcoin, të gjetura gjatë kontrolleve të ushtruara në disa banesa.
Në kuadër të procedimit penal nr.121/2021 të Prokurorisë Kundër Korupsionit dhe Krimit të Organizuar, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është përfshirë në hetime në bazë të autorizimeve të Prokurorisë, ku gjatë këtyre hetimeve janë aplikuar metoda speciale të hetimit.
Nga veprimet hetimore të kryera është bërë i mundur identifikimi i plotë i të gjitha subjekteve të hetimit.
Në vijimësi të këtij procedimi, pas ekpertimit të pajisjeve elektronike të sekuestruara, ka rezultuar se në këtë veprimtari kriminale janë të implikuar disa shtetas.
Më datë 26.07.2023, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Fiananciare, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në funksion të vendimit nr. 92 të datës 21.07.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, janë ekzekutuar 9 masa sigurie, nga të cilat 5 “Arrest në burg”, dhe 4 “Arrest në shtëpi”.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit B. Ç., O. C., B. GJ., A. M., dhe F. B., shkruan Atsh. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi B. Ç., ka dalë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë më datë 23.07.2023 nga Pika e Kalimit Kufitar Kakavijë, ndërsa shtetasja A. M., më datë 27.10.2022, nga Pika e Kalimit Kufitar Rinas.
Sipas Policisë, në kuadër të këtij procedimi janë kontrolluar 12 banesa dhe janë sekuestruar pajisje të ndryshme kompjuterike (telefona, laptopë, USB dhe pajisje për prodhimin e Bitcoin), të cilat kanë kaluar për ekspertim kompjuterik në laboratorin pranë Sektorit të Ekzaminimeve Kompjuterike në Prokurorinë e Posaçme.