Vëllai i Liridona Ademaj, Leonard Ademaj tha se vendimi me burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Granit Plavën dhe më 30 vite burgim për Kushtrim Kokallën nuk shkon vetëm për familjen, por edhe për motrën e tij të ndjerë dhe fëmijët e saj.
Pas seancës së sotme ku trupi gjykues i shpalli fajtor Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën për vrasjen e Liridona Ademaj, vëllai i saj Leonardi tha se dënimi i shqiptuar sot është mësim për të tjerët që krijojnë mundësi për krime të tilla.
“Ajo se çfarë u vërtetua sot është ajo që e kemi thënë që nga fillimi, se Naimi së bashku me Kushtrimin, duke e zgjedhur Granitin si vrasës, e kanë organizuar këtë krim. Ky vendim sot nuk shkon vetëm për ne, shkon për Liridonën, shkon dhe për fëmijët e saj, të cilët nuk do ta shohin më nënën e tyre përjetësisht. Andaj, ky dënim duhet të jetë edhe një mësim për të gjithë ata, të cilët mundohen apo krijojnë mundësi që ta bëjnë një krim të tillë”, tha ai.
Vëllai i të ndjerës Liridona tha se vendimi i sotëm sadopak ua lehtëson dhimbjen familjes.Ndërsa, avokati i familjes Ademaj, Leotrim Syla tha se vendimin e shkallës së parë për të akuzuarin Kushtrim Kokalla do ta apelojnë në Gjykatën e Apelit.
Syla tha se sot drejtësia foli dhe nxori vendim konform provave materiale.
“Është normale që prokuroria të thërrasë gjithë ekipin hetues në një shpallje të vendimit. Siç e patë, edhe në anën e prokurorisë ishin prezentë bashkëpunëtori profesional, zyrtari ligjor i prokurorisë, përkthyesi nga gjuha serbe dhe zyrtarë të tjerë nga prokuroria. Hetuesit në këtë rast janë pjesë e stafit të prokurorisë dhe konsiderohen si të tillë. Të njëjtit kanë dashur që të shohin edhe frytet e punës së tyre të palodhshme, të cilët në orët e para pas vrasjes, mos të themi në orët e para, në momentet e para, janë përgjigjur me gatishmëri maksimale, ku kanë qenë aq të aftë dhe aq reflektues ndaj rastit, saqë një rast i cili është lajmëruar dhe i mbuluar me këllëfin e grabitjes, e kanë kthyer menjëherë dhe e kanë vërtetuar që nuk ka qenë grabitje, por ka qenë vrasje e rëndë”, tha ai.
Që të tre sot u shpallën fajtor për vrasjen e Liridona Ademaj, që ndodhi në fund të nëntorit 2023. /B.Ibishi/