Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.
Në njoftimin e KQZ-së thuhet se gjatë kësaj periudhe, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimin e tyre mund ta bëjnë përmes platformës elektronike http://diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës në kutinë postare të KQZ-së.
KQZ thotë se në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës.
Informacionet më të detajuara janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së: Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për Votuesit > Votimi jashtë Kosovës, ose në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/votimi-jashte-kosoves/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar.