Serbia vendi i vetëm evropian pjesëmarrës në inaugurimin e diktatorit Nicolas Maduro
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq ishte e vetmja përfaqësuese e një vendi evropian në inaugurimin e presidentit të Venezuelës Nicolas Maduro, i cili u bojkotua nga një numër i madh i liderëve botërorë. Brnabiq në Karakas nuk la pa e përmendur edhe Kosovën.
Ish-kryeministrja e Serbisë arriti në kryeqytetin e Venezuelës, si e dërguara e presidentit Aleksandar Vuçiq, ku u gjend në shoqërinë e "përzgjedhur" me liderët e Kubës dhe Nikaraguas.
Ajo me këtë rast ka deklaruar se Venezuela është mike e madhe e Serbisë dhe ka kujtuar se vendi nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Lista e vendeve që bojkotuan inaugurimin e presidentit Maduro është dukshëm më e gjatë se lista e vendeve që morën pjesë dhe përfshin anëtarët e Bashkimit Evropian, SHBA-në dhe disa vende që kufizojnë Venezuelën, si Brazili dhe Kolumbia.
Përfaqësuesit e Argjentinës dhe Kilit, udhëheqësit e të cilëve e quajtën Maduro një diktator, munguan gjithashtu në inaugurim.
Kujtojmë se shumë bojkotuan inaugurimin e presidentit të Venezuelës pasi një sërë organizatash ndërkombëtare vlerësuan se Maduro i kishte fituar zgjedhjet në mënyrë të padrejtë. Fituesi i vërtetë konsiderohet kreu i opozitës Edmundo Gonzalez.