Temperaturat ekstreme kanë ndikuar te festimet e Ditës së Pavarësisë në Shtetet e Bashkuara, duke detyruar autoritetet të anulojnë ose të ndërpresin një sërë aktivitetesh publike në disa shtete, për shkak të rrezikut për shëndetin e qytetarëve.
Edhe në Washington DC, ku po zhvilloheshin aktivitetet për shënimin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, një panair i madh u mbyll përkohësisht pasi disa pjesëmarrës pësuan probleme shëndetësore si pasojë e temperaturave të larta. Sipas mediave amerikane, disa persona u transportuan me autoambulancë për të marrë trajtim mjekësor.
Për rrjedhojë, një numër paradash dhe aktivitetesh festive u anuluan në shtete si Pennsylvania, New Jersey, Maryland dhe Colorado. Ndër ngjarjet më të prekura ishte edhe parada tradicionale në Philadelphia, e konsideruar një nga aktivitetet kryesore të festimeve të 4 Korrikut.
Autoritetet në Washington DC dhe në qytete të tjera lëshuan paralajmërime për rrezik të lartë nga temperaturat ekstreme, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin qëndrimin e zgjatur në diell, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të kufizojnë aktivitetet fizike gjatë orëve më të nxehta të ditës.