Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Ozkan Ulutash thekson se situata e sigurisë në Kosovë aktualisht është stabile. Ai tha se në mandatin e tij të parë në krye të misionit të KFOR-it ndodhi menjëherë pas incidenteve serioze të sigurisë që u shënuan në veri të Kosovës në vitin 2023 dhe rritjes së mëvonshme të pranisë së KFOR-it në terren.
“Nuk kemi parë përsëritje të të njëjtit nivel të dhunës. Por ne mbetemi vigjilentë dhe të përgatitur mirë. KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën në mbarë Kosovën për të siguruar ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin tonë afatgjatë, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, citohet Ulutash në njoftimin e KFOR-it të ketë thënë për TV Most.
“Nga këndvështrimi ynë, procesi i tranzicionit nga kryetarët e komunave që po largohen tek ata që po vijnë është zhvilluar në mënyrë të qetë. KFOR-i vazhdon të luajë rolin e tij, duke ofruar një kornizë sigurie dhe hapësirë që dialogu politik të ecë përpara. Kjo është thelbësore për arritjen e zgjidhjeve të qëndrueshme që i sjellin përfitim të gjitha komuniteteve. Rruga drejt stabilitetit afatgjatë është politike. Stabiliteti në Kosovë dhe në rajon varet nga fakti nëse palët zgjedhin diplomacinë në vend të dhunës”, tha ai.
“Angazhimi ynë ndaj misionit është i palëkundur. Në përgjigje të dhunës së pajustifikuar të vitit 2023, ne kemi rritur numrin e aktiviteteve dhe patrullave në veri të Kosovës. Kemi një prani të rregullt atje dhe mbajmë kontakte me të gjithë bashkëbiseduesit tanë për të siguruar shkëmbim të shpejtë informacioni dhe transparencë të ndërsjellë. Në përgjithësi, kemi një prani të dukshme dhe fleksibile në të gjithë Kosovën”, tha ai.
Sipas tij, NATO vazhdon të mbështesë fuqishëm Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kornizën e vetme për zgjidhjen e çështjeve të mbetura dhe arritjen e marrëveshjeve që respektojnë të drejtat e të gjithë njerëzve. Ndërsa KFOR-i jep kontribut të rëndësishëm ushtarak për të mbajtur një mjedis të sigurt, rruga drejt stabilitetit afatgjatë është në fund të fundit politike. Është thelbësore që si Beogradi ashtu edhe Prishtina të angazhohen me mirëbesim dhe të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese. NATO vazhdon të mbështesë fuqishëm Dialogun e udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe KFOR-i do të vazhdojë të japë kontributin e tij në këtë proces të rëndësishëm. Në të njëjtën kohë, është me rëndësi që të dyja palët të angazhohen plotësisht dhe në mënyrë konstruktive në këtë kuadër.
“Sa i përket FSK-së, që nga viti 2016, Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s – i cili është i ndarë nga KFOR-i – ka mbështetur zhvillimin e saj nën mandatin e saj fillestar civil të mbrojtjes përmes ndërtimit të kapaciteteve dhe trajnimeve. Vendimet për prokurime ushtarake ose marrëveshje bashkëpunimi dypalëshe janë rezultat i marrëveshjeve ndërmjet institucioneve në Kosovë dhe vendeve individuale; këto çështje nuk bien në mandatin e KFOR-it”, tha ai.