Ulqini dhe Tuzi synojnë turistët kosovarë me oferta konkurruese dhe risi verore
Turizem
Lexohet për: 7 min.
Dëgjoje me zë...
Ulqini dhe Tuzi synojnë turistët kosovarë me oferta konkurruese dhe risi verore
17/04/2026 - 17:53
Linku u kopjua
Me një ofertë të zgjeruar dhe synime të qarta drejt tregut kosovar, përfaqësues të Tuzit dhe Ulqinit në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit “KIFT 2026” prezantuan potencialin turistik, duke e vënë theksin te çmimet konkurruese, siguria dhe aktivitetet e reja për sezonin veror, raporton KosovaPress.
Drejtori i Organizatës Turistike në Ulqin, Qazim Hoxha, vlerësoi se panairi po rritet nga viti në vit, ndërsa interesimi për të po zgjerohet vazhdimisht. Ai theksoi se tregu kosovar mbetet ndër më të rëndësishmit për Ulqinin, pasi rreth një e treta e turistëve që e vizitojnë këtë qytet bregdetar janë nga Kosova.
“Nga Kosova diku rreth 1/3 e të gjithë turistëve që vijnë në Ulqin, vijnë nga Kosova. Ulqini ofron sigurinë, Ulqini është ai i cili jemi bërë të njohur jo vetëm në Kosovë dhe në regjion, por edhe në Evropë, sepse një fjalë thotë, është për çdo kuletë. Kur flas për çdo kuletë do të thotë, keni akomodimin privat që mund ta gjeni nga 10 euro deri në 300 euro. Keni hotelin që mund ta gjeni nga 25 euro deri në 500 euro për person. Keni plazhet, do të thotë që keni shazllonin për ta paguar nga 7-8 euro deri në 80 euro, porse keni plazhet ku edhe nuk keni nevojë fare që të paguani shazllonin. Do të thotë janë plazhe të lira. Nga gjithë ky plazh i madh, normalisht se janë 50% ishte i lejuar secili plazh ka 50% lirinë për të gjithë ata turistët që nuk duan të paguajnë apo nuk duan të shtrihen në shazllon”, tha ai.
Ai njoftoi gjithashtu se këtë verë Ulqini do të presë për herë të parë festivalin ndërkombëtar “Exit”, i cili do të mbahet nga 6 deri më 12 korrik dhe pritet të sjellë mijëra vizitorë nga dhjetëra shtete të botës, ndër ta edhe turistë nga Kosova.
“Çfarë duhet të përmendet, për të gjithë që ndoshta është një risi për Ulqinin, një gjë që ndodhi ndoshta 10 ditët e fundit, një festival i quajtur Exit, i cili më se 20 vite organizohet në Novi Sad, për shkak të trazimeve të ndryshme, ato vendosën që festivali i Exit-it… ky festival për herë të parë në histori do të organizohet në Ulqin”, u shpreh Hoxha.
Në anën tjetër, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, e cilësoi Ulqinin si një destinacion me rëndësi të veçantë emocionale për qytetarët e Kosovës, duke theksuar lidhjen e fortë që ata kanë krijuar ndër vite me këtë qytet bregdetar.
“Ulqini për pushuesit nga Kosova nuk është një destinacion turistik i zakonshëm. Është një pikë neuralgjike e gjeografisë emocionale të çdo qytetari të Kosovës dhe unë si ambasador tërë vitin dëgjoj tregime, rrëfime të ndryshme për përvojat e qytetarëve të Kosovës në Ulqin. Pra, kur nuk janë në Ulqin, ato flasin për Ulqinin. Pra, Ulqini është një peizazh i brendshëm në imagjinatën romantike të çdo qytetari të Kosovës. Kështu ju ftoj të gjithë pushuesit nga Kosova që përsëri të vijnë në Ulqin, ta zbulojnë Ulqinin përsëri si herën e pare”, tha Çobaj.
Ndërkohë, Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave nga Mali i Zi, Fatmir Gjekaj i cili mori pjesë në panair, vlerësoi lart rëndësinë e këtij organizimi dhe tregut kosovar për sektorin e turizmit në vendin e tij.
“Ajo çka mund të them unë është që çdo vit tregu, e kam fjalën turistik, oferta turistike e Ulqinit vjen duke u rritur, u begatuar. Jo vetëm se kosovarët Ulqinin e shohin si qytet të tyrin, lidhjet familjare, studentët që studiojnë këtu. Pastaj investimet të cilat janë bërë në dekadën e fundit, janë shumë të mëdha. Investimet kosovare së bashku me ato ulqinake, mund të them në një korporim të përbashkët, e kanë bërë edhe më të afërt Ulqinin me Kosovën, kështu që mendoj që kjo verë do të jetë e mirë”, tha ai.
Ministri potencoi se turistët kosovarë mbeten më të rëndësishmit për Ulqinin, duke nënvizuar se siguria, pastërtia dhe qetësia janë disa nga elementet kyçe që e bëjnë këtë destinacion tërheqës për pushuesit.
Në Panairin e Turizmit të mbajtur në Prishtinë, destinacionet bregdetare të Malit të Zi kanë shpalosur ofertat e tyre edhe Tuzi Drejtor i Organizatës Turistike të Tuzit, Alen Gjokaj, prezantoi një gamë të gjerë mundësish nga turizmi rural dhe natyror
“Tuzi si si vend është i njohur shumë për Kosovën, e njohin shumë, por nuk e njohin si destinacion turistik. E ne këtu vijmë se ta dëshmojmë se ka mundësi edhe të shfrytëzohet edhe për turizëm. Ashtu siç vijmë me ofertën tonë të shpalosë, që shpalosim bukuritë natyrore, kryesisht te liqenit të Shkodrës, por edhe pjesën rurale të Malësisë që është, ta themi, natyrë e paprekur, e pazbuluar edhe ka mundësi të, të kultivohet shumë në sferën turistike. Gjithashtu dhe shpalosim edhe, edhe kalendarin e aktiviteteve të komunës tonë, i cili është i larmishëm dhe i plotësuar çdo vit e më shumë. Gjithashtu, përveç aktiviteteve të komunës dhe organizatës turistike, ne sot prezantojmë edhe prodhimet e afaristëve vendas të komunës tonë, të cilat edhe aty janë të larmishme. Kemi verërat e Malësisë, ë, kemi vajin, vajin, vajin e ullirit të Malësisë. Gjithashtu edhe disa produkte të tjera që janë shumë, shumë me nivel cilësor nga komuna jonë”, tha Gjokaj.
Ai shpalosi edhe kalendarin e aktiviteteve të Tuzit në të cilën disa nga aktivitetet kryesore ishin Pazari i Verës apo Pazari i Dimrit, aktivitete që zgjasin nga 10 ditë e më shumë.
Ndërkohë, nga agjencia turistike “EuroKoha”, Remzi Ejupi, vlerësoi se Kosova vazhdon të mbetet më shumë një vend që dërgon turistë sesa që i pret ata, duke theksuar nevojën për zhvillimin e kapaciteteve të brendshme turistike.
“Shpresojmë që në një të afërme edhe Kosova të përgatitet për një pjesë të, që turizmi edhe të sillet këtu, jo vetëm për të prodhuar turistë dhe për të dërguar në vende të tjera. Natyrisht që një numër i madh sivjet nuk dihet se kah do të orientohet, duke pasur parasysh punën karburanteve, kostove të cilat vjen duke u rritur. Opsioni mbetet prapë Ulqini. Pas Ulqinit është një pjesë edhe Shqipëria. Ku më habit çdo herë që tash e sa vite, e vetmja Shqipëria është e cila nuk na respektojnë që të bëjnë, do të thotë, marketing nëpër mediumet vendore, promovimin e, për arsye se e marrin si punë të kryme që kosovarët nuk kanë ku të shkojnë dikund tjetër, por gabohen, për arsye se mund edhe ta ndryshojnë orientimin kosovarët edhe në vende të tjera, si Greqia apo Turqia e shumë vende. Kështu që unë mendoj që Shqipërisë i duhet që të vërtetë ta respektojë tregun e Kosovë”, tha Ejupi.
Ndërkaq sot u mbajt Panairi Ndërkombëtar i Turizmit “KIFT 2026” i cili po shërben si një platformë e rëndësishme për promovimin e destinacioneve rajonale, ku fokusi kryesor këtë vit mbetet tërheqja e turistëve kosovarë për sezonin veror 2026.