Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të lehtësuar disa sanksione ndaj shitjes së naftës ruse ka shkaktuar reagime të forta nga liderët evropianë, të cilët frikësohen se masa mund të zgjasë luftën në Ukrainë, sipas BBC.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se nuk ka “asnjë justifikim” për këtë vendim, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz e quajti atë “të gabuar”. Edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, paralajmëroi se situata është “shumë shqetësuese”.
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump kishte vendosur gjithashtu sanksione ndaj vendeve që blinin naftë dhe gaz rus, përfshirë konsumatorë të mëdhenj si India. Megjithatë, për shkak të tronditjeve në tregjet globale të energjisë nga lufta mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, Uashingtoni ka vendosur të zbusë përkohësisht këto masa.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi pezullimin e përkohshëm të sanksioneve për naftën ruse që ndodhet tashmë në cisterna në det. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ky vendim mund t’i sjellë Rusisë rreth 10 miliardë dollarë të ardhura shtesë dhe “sigurisht që nuk ndihmon arritjen e paqes”, transmeton ATSh.