Tubimi i organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në sheshin Korzo ka përfunduar pa asnjë incident apo problem të raportuar nga autoritetet e rendit.
Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili tha se gjatë gjithë zhvillimit të tubimit nuk është cenuar rendi dhe qetësia publike.
“Policia e Kosovës nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga Komuna e Mitrovicës së Veriut për ndalimin e aktivitetit, ndërsa institucionet policore kanë qenë të njoftuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për mbajtjen e tubimit”, tha Elshani.
Ai shtoi se tubimi është zhvilluar në kushte të rregullta sigurie dhe pa ndërhyrje të policisë.
Nga ana tjetër, Komuna e Mitrovicës së Veriut kishte refuzuar kërkesën për organizimin e këtij tubimi. Megjithatë, aktiviteti zgjedhor u mbajt në sheshin Korzo dhe nisi me intonimin e himnit kombëtar shqiptar dhe himnit shtetëror të Kosovës.