Ujku kafshon një grua në Gjermani, diçka e tillë nuk ndodhi nga viti 1998
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Ujku kafshon një grua në Gjermani, diçka e tillë nuk ndodhi nga viti 1998
Germany records first wolf bite on human since repopulation
01/04/2026 - 14:47
Linku u kopjua

Një ujk ka kafshuar një njeri në Gjermani për herë të parë që nga rikthimi i kësaj specie në vend, thanë autoritetet.

Incidenti ndodhi të hënën, ku një grua u sulmua nga kafsha e egër pranë një dyqani IKEA në qytetin verior të Hamburgut, raporton DPA, përcjellë KosovaPress.

Policia e kapi kafshën më vonë gjatë mbrëmjes në qendër të qytetit, duke e nxjerrë nga uji me ndihmën e një lakthi (litar ose rrip me një nyje rrëshqitëse që përdoret për të kapur kafshët).

“Nuk ka pasur një rast të tillë që nga ripopullimi [i ujqve] në vitin 1998,” tha një zëdhënëse e Agjencisë Federale për Ruajtjen e Natyrës.

Ujku konsiderohej i zhdukur në Gjermani për rreth 150 vjet, por filloi të rikthehej nga Polonia rreth fillimit të shekullit XXI. Ky proces ishte natyror dhe jo i qëllimshëm.

Sot, rreth 1,600 ujq enden në pyjet e disa republikave veriore gjermane, por ekspertët paralajmërojnë se rritja e numrit të tyre e bën më të mundshëm kontaktin me njerëzit.

Klaus Hacklander, ekspert i ujqve në Fondacionin Gjerman të Jetës së Egër, tha se ishte realiste që kafsha që kafshoi gruan në Hamburg të ishte vërtet një ujk.

“Mundësia që një ujk të hyjë në një vendbanim apo edhe në një qytet është e lartë për shkak të numrit të madh të ujqve që kemi tani,” shtoi ai.

Rritja e popullsisë së ujqve ka sjellë gjithashtu probleme për fermerët, duke bërë që Bundestagu – dhoma e ulët e parlamentit gjerman – të miratojë një ligj që lejon vrasjen e ujqve në kushte të caktuara, më herët këtë muaj.

Ligji u miratua në dhomën e sipërme, Bundesrat, të premten.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026