Me 34 vota për, 49 kundër dhe shtatë abstenime, kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar rezolutën për rritjen e çmimeve të naftës e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, raporton KosovaPress.
Kjo pikë në rendin e ditës ishte pika nëntë, por me kërkesë të shefes së grupit parlamentar të LDK-së, Jehohna Lushakut, u vendos si pikë e gjashtë e rendit të ditës.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, përmes kësaj rezolute, ka kërkuar nga qeveria uljen e përkohshme të akcizës nga 36 cent në 20 cent në litër me afat të përkohshëm.
Po ashtu, është kërkuar edhe ulja e përkohshme e TVSh-së në karburante, por edhe që urgjentisht të gjej forma për të subvencionuar çmimin e naftës për bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendor.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka kritikuar opozitën për propozimin që të ulet akciza përkohësisht, duke thënë se kjo shtetit ia ul të hyrat 10 milionë euro më pak.