Turneu ndërkombëtar i boksit "Adem Jashari" zhvillohet pa përgatitje dhe financim, kërkohet përkrahje shtetërore
Lexohet për: 6 min.
turneu-i-boksit-2-061122
2 vite më parë
Linku u kopjua

Në palestrën e sporteve "1 Tetori" në Prishtinë u zhvillua sot dita finale e turneut ndërkombëtar të boksit "Adem Jashari".

Turneu "Adem Jashari" është i 24-ti me radhë që Federata e Boksit të Kosovës (FboxK) e organizon ndër vite në kuadër të kalendarit të EUBC dhe IBA, raporton KosovaPress.

Pjesëmarrës në këtë turne ishin boksierë nga Kosova, Shqipëria, Zvicra, Bullgaria, Rumania, Maqedonia e Veriut dhe Sllovakia.

Po ashtu, të pranishëm për të përcjellë ditën finale të këtij turneu ishin personalitete të njohura si medalistja botërore dhe boksierja jonë, Donjeta Sadiku, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, presidenti i Federatës së Boksit të Kosovës (FboxK), Enver Krasniqi si dhe sekretari i përgjithshëm i FboxK dhe gjyqtari i njohur, Latif Demolli.

Turneun zyrtarisht e hapi presidenti i FboxK, Enver Krasniqi, i cili në një fjalë rasti tha se ky turne tashmë ka marrë përmasa ballkanike, evropiane dhe botërore.

"Ky turne, i 24-ti me radhë, turne që tashmë ka marrë përmasa ballkanike, evropiane dhe botërore. Turneu Adem Jashari është bërë njëri nga turnetë me renome dhe më të organizuar në rajon. Edhe këtë herë turneun po e nderojnë me pjesëmarrje boksierët nga vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës”, tha Krasniqi.

Po ashtu, këtë turne e vlerësoi edhe presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, i cili ndër të tjera tha se nuk ka motivim më të madh se për të luftuar për trofeun e Adem Jasharit.

"Besoj që është një ditë e veçantë sepse tashmë ky turne është edhe tradicional që mban emrin e legjendarit Adem Jashari dhe besoj që nuk ka motivim më të madh si sot të garoni për këtë emër dhe t'i pasuroni vitrinat e juaja me medaljet dhe trofetë me emrin Adem Jashari. Ne për jetë do t'i përkulemi kësaj familje sepse arsyeja që sot jemi këtu është pikërisht për shkak të familjes së tyre, që sot jemi krenarë dhe këto turne i bëjmë me krenarinë më të madhe dhe vullnetin më të madh”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, pas përballjeve dhe ndarjes së medaljeve e trofeve, për KosovaPress foli sekretari i përgjithshëm i FboxK dhe gjyqtari i njohur, Latif Demolli, i cili komentoi ecurinë e turneut, si dhe u shpreh i pakënaqur me mos prezencën e kryeministrit Albin Kurti, ministrit të MKRS-së, Hajrulla Çekut dhe zëvendësministres, Daulina Osmanit.

“Besoj që edhe në gjysmëfinalet dje ishte një boks i mirë si nga ana teknike dhe taktike, dhe sot finalet ishin si me qenë një kampionat evropian, besoj që fituan më të mirët, referimi ishte i denjë dhe korrekt dhe fituesi janë ata të cilët e merituan. E kemi një dobësi që nuk janë përgjigjur, nuk i kemi parë, kryeministrin, ministrin e as zëvendësministrja nuk ishin prezent, përveç Komitetit Olimpik, kryetari Ismet Krasniqi që ishte prezent, sepse ky turne e meriton të jenë krerët e shtetit, krerët e institucioneve shtetërore, sidomos të sportit të jenë prezent në këtë manifestim kaq të madh siç është turneu Adem Jashari”, tha Demolli.

Më pas, Demolli ishte i pakënaqur edhe me përkrahjen e institucioneve shtetërore, ku tha se boksierët tanë janë paraqitur në këtë turne krejtësisht të papërgatitur, për shkak se mungojnë mjetet financiare. Demolli shtoi se Federata e Boksit të Kosovës (FboxK) ende nuk i ka marrë paratë që janë dedikuar për të që nga muaji korrik.

"Boksierët tanë asnjë ditë nuk kanë qenë në përgatitje sepse kemi mungesën e pareve, mungesën e financimit. Ne nga muaji korrik nuk i kemi marrë paret të cilat janë të dedikuara për federatë, për arsye që ministria e ka lyp rilicensimin e federatave dhe nga muaji korrik ne nuk kemi asnjë të ardhur në Federatën e Boksit. Po besoj qe ambasadori kryesorë në shtetet e botës është sporti. Sportin duhet ministria, qeveria që ta shikojë sportin, të jep më shumë financim, për arsye se sportistët tanë janë në moshë të re, dhe ne si Kosovë, sidomos në sportet vetanake dihet që e kemi në gjene që të kemi sa më shumë përgatitje dhe kampe ndërkombëtare që ta përfaqësojmë sa më denjësisht Kosovën në arenën ndërkombëtare, në gara, turne, kampionate evropiane, botërore dhe në Olimpiadë”, tha Demolli.

Për fund, boksieri që përfaqëson Zvicrën por me prejardhje shqiptare, Ukë Smajli për KosovaPress komentoi këtë nivelin e garuesve në këtë turne, për të cilët kishte edhe një mesazh, ndërsa edhe tregoi nëse do ta linte Zvicrën për ta përfaqësuar Kosovën.

"Është një nivel tjetër sepse unë jam mësuar me kampionate botërore dhe evropiane. Kam arritur te numri 14 i botës, i kam më shumë se 100 ndeshje, por ende është sfidë e madhe se zemra e këtyre boksierëve dhe motivimi është ndryshe. Faktori me më së shumti rëndësi është motivimi që e ke vet, nuk mundesh me prit që të ndihmon një trajner me u bo më i mirë, duhet me pas motivimin kurrë mos me i lënë stërvitjet, kurrë mos me mendu që është boll. Kosovën, kjo është pyetje shumë vështirë mu përgjigj, se kisha pas qejf me bo një herë, por edhe për Zvicrën kam qejf, sepse më ka jep shumë Zvicra, të gjitha mundësitë, institucionet. Jam mundu për Zvicrën dy herë, e të tretën herë me u mundu me bo shumë, shumë më kish kënaqur”, tha Uka.

Boksieri më i mirë i këtij turneu u zgjodh Ukë Smajli, kurse boksierët e huaj më të mirë u zgjodhën sllovaku, Katona Erik dhe bullgari, Radoslav Rosenov.

Tekniku më i mirë ishte Bashkim Bajoku, kurse boksieri më fer u zgjodh Bekim Vjerdha.

Ndërkaq, më poshtë mund t’i gjeni edhe rezultatet në finalet e turneut “Adem Jashari”.

Kategoria 51 kilogramë - Katona Erik (Sllovaki) 2:0 Dren Zariçi (Kosovë)

Kategoria 54 kilogramë - Katona Tibor (Sllovaki) 0:2 Bashkim Bajoku (Kosovë)

Kategoria 63.50 kilogramë - Drilon Arifi (Kosovë) 2:0 Radoslav Rosenov (Bullgari)

Kategoria 67 kilogramë - Shpetim Bajoku (Kosovë) 2:0 Loris Idrizi (Kosovë)

Kategoria 75 kilogramë - Besior Gjetaj (Shqipëri) 0:2 Viliam Cholov (Bullgari)

Kategoria 80 kilogramë - Bekim Vjerdha (Shqipëri) 2:0 Dionis Gashi (Kosovë)

Kategoria 86 kilogramë - Ukë Smajli (Zvicra) 2:0 Redis Karaj (Shqipëri)

Kategoria 92+ kilogramë - Bistar Simon (Sllovaki) 2:0 Shpejtim Shabani (Kosovë) /A.Arifi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025