Instituti Albanologjik organizoi një tryezë me temë “Tekstet shkollore të historisë në Republikën e Kosovës”.
Kjo tryezë u organizua nga Dega e Historisë e këtij instituti, në të cilën morën pjesë profesorë të historisë.
“Ky organizim përbën një hap modest drejt reflektimit të përbashkët mbi mënyrën se si historia mësohet, interpretohet dhe transmetohet përmes teksteve shkollore tek brezat e rinj. Tekstet shkollore në përgjithësi e ato të historisë në veçanti, ndoshta dikush mund t’i ketë konsideruar thjesht si materiale mësimore, por në fakt ato nuk janë të tilla. E kaluara dhe e tanishmja po dëshmojnë se ato janë instrumente të rëndësishme të vetëdijes sonë kolektive, identitetit dhe mendimit kritik të nxënësve, prandaj cilësia, përmbajtja dhe qasja metodologjike e tyre kanë një rëndësi të veçantë për zhvillimin arsimor dhe shoqëror të vendit tonë”, tha Ahmeti.
Ndërsa, historiani Ibrahim Gashi tha se termat pavarësi dhe bashkim kombëtar përdoren shpesh për të ngjallur ndjenja patriotike.Kadire Hajzeraj nga Instituti Albanologjik tha se ende përdoren metoda tradicionale të mësimdhënies së historisë në shkolla dhe ka mbingarkesë të fakteve dhe emrave.
“Përmes historisë zhvillohet identiteti kombëtar, ndërgjegjësimi qytetar dhe mendimi kritik, megjithatë mësimdhënia dhe mësimnxënia e historisë fillon me sfida të shumta që kërkojnë trajtim të vazhdueshëm profesional….Në shumë shkolla ende përdoren metoda tradicionale ku mësuesi ende ligjeron ndërsa nxënësi dëgjon në mënyrë pasive. Një gabim tjetër është dhe mbingarkesa me fakte dhe emra, gjë që e bën historinë të duket si lëndë memorizimi”, tha Hajzeraj.