Trupi gjykues në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), ka urdhëruar palët që deri më 31 maj të gjejnë zgjidhje për të garantuar publicitet të seancave në këtë proces.
Pasi katër dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) kanë dëshmuar në seanca private, kryegjykatësi Charles Smith ka thënë se kjo është bërë për të mbrojtur dëshmitarët.
Smith ka kërkuar nga mbrojtja që të ketë kujdes gjatë intervistimit, me qëllim që të mos nxjerrën informacione konfidenciale kur seancat janë të hapura.
“Palët pra urdhërohen të angazhohen në diskutime për këtë çështje dhe deri më 31 maj 2023 të sigurojnë zgjidhje për të garantuar publicitet më të madh të këtyre procedurave. Gjithashtu mendojmë që avokatët do të kenë kujdes të veçantë të mos nxjerrin informacion konfidencial gjatë seancave publike dhe do t’i formulojnë pyetjet e tyre në mënyrë që të shmangin ndodhitë e tilla”, tha ai.
Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, deri tani kanë përfunduar dëshmitë e katër dëshmitarëve të prokurorisë.
Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.
Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.