Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022 dhe presidenti rus Vladimir Putin priste të pushtonte të gjithë vendin brenda pak ditësh, por ajo që ndodhi në vend të kësaj ishin tri vjet luftime intensive falë qëndresës së armatosur ukrainase me ndihma që vinin nga aleatët perëndimorë.
Agresioni ushtarak rus ndaj Ukrainës u dënua menjëherë nga SHBA e Evropa duke vendosur sanksione ndaj Moskës. Kosova ka dënuar agresionin ushtarak rus, duke iu bashkëngjitur aleatëve të saj perëndimorë në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, por një gjë të tillë nuk ka bërë edhe Serbia fqinje.
Në fillim të luftës në shkurt 2022, Ukraina mbajti trupat ruse larg kryeqytetit Kiev, dhe më vonë siguroi fitore në pjesë të rajoneve verilindore Kharkiv dhe Khersoni jugor. Por ajo gjithashtu pësoi humbje të mëdha në zonat lindore rreth Donetsk dhe Bakhmut.
Për tri vjet luftë miliona ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre, qoftë në pjesë të tjera të Ukrainës apo në vende të tjera.Në Rusi jetonin 1.2 milion refugjatë ukrainas, sipas vlerësimit të fundit të OKB-së që nga qershori 2024.
Më shumë se 40 mijë civilë janë vrarë ose plagosur në Ukrainë gjatë konfliktit, me shumë prej vdekjeve të shkaktuara nga armët shpërthyese, sipas Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Të paktën gjysma e të vrarëve 6.203 ishin burra të rritur dhe 669 ishin fëmijë.
Kohët e fundit, Trump ka sugjeruar marrjen e një qasjeje transaksionale ndaj ndihmës, duke thënë se SHBA-të duhet të kenë qasje në mineralet e rralla të tokës në këmbim, gjë që Zelensky e ka refuzuar duke thënë se çdo marrëveshje për një gjë të tillë duhet të përfshijë garanci të qarta sigurie nga Shtetet e Bashkuara.