Nga fillimi i muajit shkurt në Kosovë ka nisur procesi i vaksinimit të djemve nga mosha 11 deri në 12-vjeç me vaksinën kundër human papillomavirusit (HPV). Procesi i imunizimit me këtë vaksinë po kalon pa probleme ndonëse disa prindër kanë shfaqur hezitime.
Shefja e vaksinimit pranë Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), Fetie Fetaj, tha për KosovaPress se procesi i vaksinimit kundër human papillomavirusit ka nisur te vajzat vitin e kaluar dhe deri më tani janë vaksinuar 85 për qind e tyre nga mosha 11 deri në 12-vjeç.
“Janë edhe dy vaksina që jepen - është për klasat 6-7, i përket moshës 11-12 vjeç edhe kjo vaksinë jepet te të dyja gjinitë pikërisht te kjo moshë. Por, e kanë të drejtën vullnetarisht apo me indikacion të vaksinohen vajzat dhe djemtë deri në 21-vjeç... Vaksina është mjaft e sigurt, e testuar dhe e hulumtuar disa herë për shkak se është e përfolur si vaksinë mjaft shumë. Ne e testuam edhe vetë, janë vaksinuar rreth 10 mijë vajza vitin e kaluar dhe asnjë efekt anësor nuk është raportuar”, tha shefja e imunizimit pranë IKSHPK-së.
Vaksina kundër papillomavirusit mbron nga disa lloje të kancerit përfshirë atë të qafës së mitrës.Përveç HPV kundër kancerit të qafës së mitrës, vaksina kundër rotavirusit dhe vaksina kundër pneumokokut e meningjitit i janë shtuar kalendarit të rregullt të imunizimit.
Human papillomavirus (HPV) është emri i një grupi shumë të zakonshëm të viruseve. Ata nuk shkaktojnë ndonjë problem te shumica e njerëzve, por disa lloje mund të shkaktojnë lytha gjenitale ose kancer. HPV ndikon në lëkurë dhe ka më shumë se 100 lloje të ndryshme. /B.Ibishi/