Asamblistët e opozitës në Kuvendin e Novi Sadit u penguan të hyjnë në ndërtesë dhe të marrin pjesë në seancën në të cilën do të zgjidhet kryetari i ri i komunës. Qytetarët hodhën vezë ndaj punonjësve të policisë, ndërsa asamblistët tentuan të çajnë kordonin para hyrjes. Një numër i madh i policëve, të cilët kishin qenë brenda që në mëngjes herët, dolën nga ndërtesa e Kuvendit dhe pastruan pllatonë para Kuvendit të Novi Sadit.
Siç është paralajmëruar edhe më herët, seanca për zgjedhjen e kryetarit të Novi Sadit është caktuar për në orën 10:00.
Që herët në mëngjes, rreth orës 6:30, në ndërtesën e Kuvendit kanë nisur të mbërrijnë efektivë të policisë. Sipas videove të postuara në rrjetin social “X” nga gazetari Zarko Bogosavljeviq, policët ishin të veshur me pajisje të plota në hyrje të parlamentit të qytetit.
Rreth orës shtatë, makinat e policisë kanë mbërritur para Kuvendit të Novi Sadit. Menjëherë pas kësaj, një grup tjetër oficerësh policie mbërriti në ndërtesën e parlamentit të Novi Sadit. Vetëm 15 minuta më vonë, siç njoftoi gazetari Bogosavljeviq në llogarinë e tij X, mbërritën edhe shumë makina tjera policie.