Tottenham turpëron United në Old Trafford
Sport
Lexohet për: 2 min.
4 javë më parë
Linku u kopjua

Ndeshja e skuadrave nga mesi i tabelës në Premier Ligë ndërmjet Manchester United dhe Tottenham përfundoi me fitoren e mysafirëve - 0:3.

Nikoqirët hyrën në fushë me tetë pikë prapa liderit Liverpool, pas dy humbjeve nga pesë ndeshjet e fillimit të edicionit të ri të garave dhe përballja me Tottenham ishte një mundësi për të rikthyer skuadrën në “binarë”.

Megjithatë, ndeshja në “Old Trafford” nisi me “dush” të ftohtë për “Djajtë e kuq”, pas golit të pësuar qysh në minutën e tretë nga Brennan Johnson.

Pësimi i golit të papritur i bëri më agresivë të përzgjedhurit e Erik ten Hag në fushë, duke bërë ndërhyrje të ashpra ndaj lojtarëve kundërshtarë, për të cilën gjë mesfushori Bruno Fernandes u ndëshkua me kartonin e kuq në minutën e 42-të, duke e lënë kështu skuadrën në telashe me një lojtar më pak në vazhdim.

Në pjesën e dytë, Tottenham shfrytëzoi epërsinë në fushë duke shënuar përmes Dejan Kulusevski në minutën e 47-të, i cili regjistroi golin e tij të parë personal në Premier Ligë, teksa fitoren bindëse e vulosi Dominic Solanke në minutën e 77-të për epilogun - 0:3.

Kjo është fitorja e tretë e Tottenham në gjashtë ndeshje, duke zënë pozitën e tetë në tabelë me 10 pikë, teksa “Djajtë e Kuq” mbeten me 7 pikë në vendin e 12-të, por të cilin mund ta humbin nëse Bournemouth shënon fitore në përballje nesër si vendës me Southamptonin e renditur në pozitën e parafundit.

Në ndeshjen tjetër të xhiros së gjashtë sot të Premier Ligës, skuadrat Ipswich Town dhe Aston Villa u ndan në paqe duke luajtur baras - 2:2.

Kujtojmë, në tabelë kryeson Liverpool me 15 pikë, pasuar nga Manchester City e Arsenal me nga një pikë më pak.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024