“Tmerruese”, ministri Aliu reagon pas dëshmisë së Abrahams në Gjykatën Speciale
Lexohet për: 3 min.
Aliu
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Librun Aliu, ka reaguar pas dëshmisë së zyrtarit të Human Rights Watch, Frederick Abrahams, në Gjykatën Speciale, në çështjen gjyqësore kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Ai ka thënë se të gjithë ata që kanë ndjekur zhvillimet e fundit në Hagë kanë mundur të shohin se sa të pasakta dhe trendencioze kanë qenë disa raporte që janë marrë si dëshmi dhe përdorur për të akuzuar UÇK-në.

“Është tmerruese kur e mendon se si raportet e shërbimeve dhe mediave serbe kanë arritur të ndikojnë dhe të konsiderohen si fakte nga një organizatë kaq e njohur botërore si Human Rights Watch. Pra, qëndrimet e dala nga aparati i Serbisë - i cili deri në atë kohë qe pushtues herë represiv e herë opresiv, por që edhe sot e kësaj dite ka për synim shtypjen e shqiptarëve në Luginë dhe njëherit bllokimin e Kosovës - janë publikuar nga HRW, fatkeqësisht pa bërë as verifikimet e duhura në terren. Së paku kështu po del nga dëshmia e deritanishme e dëshmitarit të prokurorisë në Hagë Frederic Abrahams! Dhe këto të dhëna po i përdor Prokuroria si bazë për ngritjen e aktakuzave për krime”, ka shkruar Aliu.

Ai gjithashtu ka shpërndarë një pjesë të dëshmisë së Abrahams, derisa i njëjti intervistohet nga mbrojtja e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson.

“Mbetem i bindur se duhet të ketë drejtësi për çdo viktimë të krimit, pavarësisht etnisë, e po aq i bindur jam se UÇK-ja do të dalë plotësisht e pafajshme pavarësisht se sa ka qenë dhe mbetet cak i fushatave shpifëse nga sistemi antishqiptar millosheviqian, e tash edhe nga pasardhësit e tyre”, ka shkruar ai.

Aliu ka thënë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pashmangshme dhe "sa më shpejt të pranohet ky fakt, aq më shpejt do të krijohen kushtet për fqinjësi e bashkëjetesë të qëndrueshme e paqësore në rajonin tonë”.

Fred Abrahams, i cili ka hartuar raporte për organizatën Human Rights Watch edhe gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ka dëshmuar për tri ditë në çështjen kundër Thaçit dhe të tjerëve në Hagë.

Në bankën e dëshmitarit ai është paraqitur si dëshmitar i Zyrës së Prokuronit të Specializuar, ndërsa aty është përballur edhe me pyetjet e avokatëve mbrojtës.

Derisa është intervistuar nga avokati i Veselit, Ben Emmerson, dëshmitari Abrahams ka pranuar se raportet nuk ishin shkruar siç duhet dhe se të njëjtat kishin për burim shërbimet dhe mediat serbe.

https://kosovapress.com/admin/emmerson-raportet-e-deshmitarit-te-prokurorise-jane-riciklim-i-lajmeve-serbe/
https://kosovapress.com/admin/fillon-te-degjohet-deshmitari-nderkombetar-mbrojtja-deshmia-e-tij-nuk-eshte-e-bazuar/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025