Një tërmet në det me magnitudë 7.8 ballë goditi të hënën jugun e Filipineve, duke lënë të paktën 35 persona të vdekur dhe mbi 200 të plagosur, kryesisht si pasojë e shembjes së ndërtesave.
Dridhjet shkaktuan gjithashtu një cunami me lartësi rreth një metër, i cili goditi brigjet përreth.
“Kamioneta jonë papritur u drodh fort dhe mendova se na ishte shpuar goma”, tha për Associated Press Rod Sosmeña, drejtor rajonal i Zyrës së Mbrojtjes Civile, i cili po udhëtonte në General Santos kur tërmeti goditi në orën 07:37 të mëngjesit. “Lëkundjet ishin shumë të forta dhe njerëzit dolën me vrap nga shtëpitë drejt rrugëve”, shtoi ai, përcjellë KosovaPress.
Valë më të vogla të dridhjeve u regjistruan edhe në Indonezi, Palau dhe deri në jug të Japonisë.Drejtori i Institutit Filipinas të Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë, Teresito Bacolcol, tha se ky ishte tërmeti më i fuqishëm që ka goditur Filipinet gjatë këtij viti. Ai u bëri thirrje qytetarëve të kërkojnë këshilla nga autoritetet përpara se të kthehen në ndërtesat dhe shtëpitë e dëmtuara, pasi ato mund të shemben nga pasgoditjet.
Shtetet e Bashkuara, aleate të Filipineve në bazë të një traktati dypalësh, njoftuan se po koordinohen me autoritetet në kryeqytetin Manila dhe janë të gatshme të mbështesin përpjekjet për menaxhimin e situatës. Mbështetje shprehën gjithashtu Franca, Japonia dhe Zelanda e Re.