Në komunën e Istogut vazhdoi puna në terren për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga breshëri, nevojat për ndërhyrje urgjente dhe masat agronomike që duhet të ndërmerren për ruajtjen dhe rikuperimin e prodhimit bujqësor.
Kjo po bëhet, siç thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, mee kërkesë të ministri në detyrë Armend Muja, nga ekipet profesionale të Institutit Bujqësor të Kosovës (IBK) dhe Departamentit të Shërbimeve Këshilluese dhe Teknike (DSHKT), në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale për Bujqësi në Komunën e Istogut.
Rekomandimet profesionale do t'u përcillen fermerëve menjëherë pas përfundimit të vlerësimeve në terren.
Për koordinimin e përgjigjes institucionale, ministri në detyrë Muja ka themeluar Shtabin për Menaxhimin e Situatës, i cili po bashkërendon veprimet ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale.Në këtë kuadër, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është duke zhvilluar një program të integruar për menaxhimin e rrezikut në bujqësi, i cili përfshin pilotimin e skemës së sigurimeve bujqësore, zgjerimin e mbështetjes për investime në rrjeta mbrojtëse kundër breshrit, zhvillimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm për fermerët, forcimin e rolit të Institutit Bujqësor të Kosovës dhe të shërbimeve këshilluese në terren, si dhe orientimin e skemave të mbështetjes drejt investimeve që rrisin qëndrueshmërinë e prodhimit bujqësor dhe ndihmojnë fermerët të rikuperohen më shpejt pas fatkeqësive natyrore”, thuhet në njoftim.