Mes përplasjeve të ashpra dhe tensioneve ka kaluar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për energjinë elektrike, raporton KosovaPress.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami dhe deputeti i LVV-së, Ejup Ahmeti, kanë adresuar akuza ndaj njëri-tjetrit për dallavere në këtë sektor.
“Mafia energjetike është fakt. Nuk jeni dalë me demantu asnjëherë, lidhjet e juaja me njerëz që janë të lidhur me tregtarë të energjisë janë fakte. Shefi i kabinetit të kryeministrit të Kosovës hap kompani për tregti të energjisë elektrike”, tha ajo.
“Kjo nuk është e vërtetë. Për çdo gjë të konsultoheni me kolegët e juaj nga LDK-ja që kanë një lidhje të shkurt me personin që po flisni ju. E dyta, baxhanaku i Lumir Abdixhikut, kryetarit tuaj, Besart Bajraktari, tregoni mirë qytetarëve se sa tenderë i merr ky. Po ashtu kompania e baballakut të kryetarit Abdixhiku, edhe gruaja e Lumir Abdixhikut ka themeluar kompani për tregtimin e energjisë. E treta, tregoni qytetarëve se burri juaj është pronar i një kompanie farmaceutike e këndej flisni për shëndetësinë”, tha ai.
Deputetit të mazhorancës i reagoi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila mohoi se bashkëshorti i saj është pronar i ndonjë kompanie farmaceutike.
Në debat u përfshi edhe kryetarja e Kuvendit, Albuelena Haxhiu, e cila i kërkoi disa herë deputetes Bajrami të ulet në vendin e vet, pasi sjelljet e saj janë të papranueshme.