Inteligjenca artificiale dhe propaganda hibride sfidë për demokracinë në Kosovë
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Inteligjenca artificiale dhe propaganda hibride sfidë për demokracinë në Kosovë
tryeza
28/05/2026 - 15:22
Linku u kopjua

Qëndrueshmëria demokratike dhe sfidat që paraqesin ndërhyrjet e huaja në proceset zgjedhore në Kosovë u diskutuan në sesionin e dytë në kuadër të Forumit 2026 të organizuar nga Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus”.

Arian Starova nga Atlantic Council of Albania, tha se lufta hibride është bërë gjithnjë më e vështirë për t’u përballuar për shkak të zhvillimit të teknologjisë, inteligjencës artificiale dhe konkurrencës globale.

Ne tani, si vende dhe flas për Kosovën dhe Shqipërinë, jemi rreshtuar te familja, dhe natyrisht jemi pjesë e luftës kundër ndërhyrjeve hibride. Dhe kjo luftë për t'u përballur është jashtëzakonisht e vështirë, për dy rrethana së pari. Aktualisht, e para, teknologjia e informacionit është në një ekstrem dhe ka rritur në në maja, që ka kapërcyer edhe skajet më të pafytyrshme të inteligjencës artificiale, e para. E dyta, konkurrenca gjeopolitike është ashpërsuar, pra e ngjashme me luftën e ftohtë, ku në një formë që nga regjimet autoritare, regjime liberale që kanë që që investojnë lirinë. Në këto kushte kuptohet që ne duhet të përpiqemi me të gjithë format që t'i që ta përballim këtë ndërhyrje. Ne jemi shoqëri të lira, shoqëri demokratike, shoqëri të përsosura nuk ka, shoqëri shoqëri demokratike të cilat duhet të mbrohen fort dhe të ecin sepse kemi bazë vlerat e mëdha, dinjiteti i njeriut, liria e tregut, liria e të menduarit, liria e të organizuarit, gjëra që andej nuk janë”, tha ai.

Sipas tij, ndërhyrjet në fushatat zgjedhore ndikojnë drejtpërdrejt në vullnetin e qytetarëve dhe deformojnë votën përmes metodave artificiale.

Starova theksoi se organizatat joqeveritare, partitë politike dhe mediat duhet të jenë më aktive dhe më hulumtuese ndaj ndërhyrjeve të huaja dhe mënyrave se si ato realizohen.

Ndërkaq, Gani Zogaj nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) tha se siguria kibernetike në zgjedhje është bërë sfidë kritike, pasi proceset demokratike varen gjithnjë e më shumë nga sistemet digjitale.

Ai paralajmëroi se sulmet kibernetike, dezinformimi dhe qasjet e paautorizuara mund të cenojnë integritetin zgjedhor dhe besimin publik. Sipas Zogajt, përvojat ndërkombëtare dhe rajonale tregojnë se këto kërcënime ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin institucional, ndërsa zhvillimi i inteligjencës artificiale po i bën ato edhe më komplekse dhe më të vështira për t’u menaxhuar.

Për integritetin zgjedhor në media foli edhe profesori Alban Zeneli nga Instituti i Medias, i cili kërkoi që edukimi medial të bëhet lëndë e detyrueshme në arsimin parauniversitar.

Zeneli kritikoi mungesën e reformave në këtë drejtim, duke thënë se përkundër avokimit 17-vjeçar për edukimin medial, ndryshimet kanë ecur shumë ngadalë.

Ndërkohë, profesori Gjon Çulaj tha  theksoi se Serbia vazhdon të ushtrojë ndikime hibride ndaj Kosovës, duke tentuar të ndikojë perceptimin ndërkombëtar për Kosovën si shtet jofunksional dhe duke penguar proceset integruese.

Sipas tij, përdorimi politik i komunitetit serb përmes aktorëve lokalë mbetet një nga format e ndikimit hibrid.

Megjithatë, Çulaj vlerësoi se institucionet e Kosovës kanë arritur të organizojnë zgjedhje të lira dhe demokratike, ndonëse polarizimi politik mbetet një sfidë e brendshme për vendin.

Në fund drejtori i institutit “Octapus”, Arben Fetoshu tha se duhet pasur një qasje të mënjehersehme sa i përket sigurisë së institucioneve duke pasur parasysh  qëllimet e Serbisë që të pamundësojë që qytetarët serbë të ushtrojnë në mënyrë të lirë dhe demokratike të drejtën e tyre të votës për të zgjedhur përfaqësuesit politikë në institucionet e Kosovës


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026