Rreth 700 kërkesa për lirim me kusht janë bërë nga të burgosurit gjatë këtij viti. Paneli për Lirim me Kusht ka aprovuar 269 kërkesa, ndërkaq 282 janë refuzuar. Kryesuesja e këtij peneli, Valdete Daka deklaroi se rreth 50 për qind e këtyre kërkesave po aprovohen. Ajo mohoi deklarimet e anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, që këto kërkesa të të burgosurve nuk po merren parasysh, derisa bëri të ditur se ka pasur raste që të liruarit me kusht janë larguar nga Kosova dhe se të njëjtave u është revokuar vendimi.
Në mbledhjen e këtij komisioni, Daka shtoi se paneli funksionon në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Kryesuesja e Panelit për Lirim me Kusht, shtoi se deri më tani kanë pranuar vetëm dy kërkesa nga të miturit.
Tek rastet e dhunës në familje, Daka shtoi se shpesh vlerësojnë që sa ka mundësi kryerësi i veprës penale ta përsëris.
Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi tha se Valdeta Daka është e akuzuar nga pushteti.
“Është gjithmonë kënaqësi dhe nder të ju kemi përballë, pavarësisht akuzave publike që keni nga pushteti aktual për punën e tuaj. Unë e vlerësojë jashtëzakonisht shumë, për shkak se drejtësia penale është shtyllë jashtëzakonisht e rëndësishme e sistemit të drejtësisë”, deklaroi ajo.