Të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë nuk e pranojnë fajsinë
Tre të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë lidhur me sulmin terrorist në Banjskë. Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq kanë thënë në seancën gjyqësore se janë të pafajshëm për akuzat ndaj tyre. Pas deklarimit të trye ka përfunduar seanca.
Fillimisht në seancë, prokurori special, Naim Abazi teksa ka lexuar aktakuzën tha se të akuzuarit të udhëhequr nga Milan Radoiçiq e gjithë kjo me qëllim që seriozisht të destabilizojnë dhe shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike, shoqërore të Republikës së Kosovës, raporton KosovaPress.
“Në role të ndryshme, duke filluar nga roli i bllokimit të rrugëve, të trajnuar në mënyrë profesionale, ku pjesa më e madhe e grupit pasi që kanë hyrë në mënyrë të organizuar përmes rrugëve malore ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës nga Republika e Serbisë, me dhjetëra vetura e disa prej tyre edhe të blinduara, të mbushura me armë të rënda, municion, raketa hedhës, eksplozivë, uniforma të kamufluara ushtarake dhe pajisje logjistike ushtarake, fillimisht kanë bllokuar rrugën tek ura e fshatit me dy kamionë, pastaj janë fshehur dhe kanë zënë pozicionet e tyre dhe pasi që kanë ardhur zyrtarët policorë të Republikës së Kojsovës, për t’i hequr kamionët dhe liruar rrugën, në atë moment i kanë sulmuar me eksplozivë dhe armë të rënda, me ç’rast tek ura e fshatit ka mbetur i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari policor Alban Rashiti e janë lënduar zyrtarë të tjerë policorë Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu, Sedat Dushi, sulm ky i cili ka vazhduar deri në orën 15:00 kur shumica dërrmuese e këtij grupi janë arratisur në drejtim të rrugëve malore për në Republikën e Serbisë, e gjithë kjo me qëllim që seriozisht të destabilizojnë dhe shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike, shoqërore të Republikës së Kosovës.me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer veprën penale, “Kryerja e veprës terroriste”, thuhej në aktakuzë.
Tutje, aktakuza thotë se ‘tre të akuzuarit duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur, ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.
Me këto veprime të akuzuarit me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer veprën penale, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
https://kosovapress.com/nis-seanca-ndaj-tre-te-akuzuarve-ne-rastin-banjska