Kryeministri Albin Kurti, mbrëmjen e së hënës në “Ballkonin e Hapur”, ka organizuar pritjen lamtumirës për ish-ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, në të cilën ishin të pranishëm anëtarë të kabinetit qeverisës, diplomatë të shumtë, përfaqësues të lartë të KFOR-it, udhëheqës të ndryshëm të institucioneve vendore e ndërkombëtare, deputetë të Kuvendit të Republikës e bashkëpunëtorë të afërt.
Në këtë pritje, Kurti përmes një fjale rasti vlerësoi se prej se u themelua ajo, Armend Mehaj është më punëtori, më i përkushtuari dhe më i suksesshmi në krye të Ministrisë të cilën e udhëhoqi, thuhet në komunikatën për media.Sipas tij, “me insistimin e Armendit, ushtarët e thjeshtë dhe oficerët e rinj të FSK-së, tashmë gëzojnë një rrogë dinjitoze, mbi 30% më të lartë se pagat e tyre paraprake. Ditët e fundjavës si ministër, Armendi i shfrytëzonte jo për të pushuar pas një jave të mbushur me punë dhe aktivitete, por për të vizituar dhe falënderuar familjet e dëshmorëve, të cilët kanë bërë sakrificën më të madhe të mundshme, duke dhënë bijat dhe bijtë e tyre, që ne të jetojmë në liri në Kosovën e pavarur”.
Duke e vlerësuar për punën e tij si ministër, Kurti tha se ish-ministri Mehaj ka bashkëpunuar me kolegët e tij të kabinetit qeveritar, bashkëpunim ndërministror i cili sipas kryeministrit ka dhënë fryt në disa drejtime të rëndësishme.
Më tej, Kurti tha se “suksesi i ish-ministrit Mehaj në arenën ndërkombëtare është shfaqur edhe në përpjekjet e tij për ta avancuar Kosovën në rrugëtimin e saj drejt NATO-s. Ai e ka kuptuar thellë, se NATO-ja ka qenë jo vetëm kontribuese në çlirimin dhe sigurimin e Kosovës, por është edhe destinacioni ynë”.
Kryeministri gjithashtu veçoi se ditët e fundjavës si ministër, Armendi i shfrytëzonte jo për të pushuar pas një jave të mbushur me punë dhe aktivitete, por për të vizituar dhe falënderuar familjet e dëshmorëve, të cilët kanë bërë sakrificën më të madhe të mundshme, duke dhënë bijat dhe bijtë e tyre, që ne të jetojmë në liri në Kosovën e pavarur.
Ndërkaq, ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, pasi përshëndeti të gjithë të pranishmit tha se i beson motos e cila thuhet në ushtri 'Krah për krah', “nëse ecim krah për krah atëherë i arrijmë edhe qëllimet e përbashkëta”.
Pasi falënderoi kryeministrin për fjalët dhe besimin e dhënë ai tha se ka bërë vetëm punën e tij pasi siç tha ai “këtë ia kemi borxh atdheut dhe çdo dëshmori të kombit”. Më tej ish ministri Mehaj tha se qëllimi i përbashkët i të gjithëve është integrimi i Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian.