Tajani kërkon formimin e ushtrisë së BE-së
Lexohet për: 2 min.
Antonio Tajani
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Shefi i diplomacisë italiane Antonio Tajani ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të formojë ushtrinë e tij të përbashkët që mund të luajë një rol paqeruajtës dhe të parandalojë konflikte.

Ai në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”, tha se bashkëpunimi më i ngushtë evropian në fushën e mbrojtjes është prioritet i partisë Forza Italia që ai udhëheq.

"Për Forza Italia, reforma e parë e vërtetë që duhet të kryhet është ajo që parashikon një mbrojtje evropiane. Nëse duam të jemi paqebërës në botë, ne kemi nevojë për një ushtri evropiane. Dhe ky është një parakusht themelor për të pasur një evropiane efektive. Në një botë me lojtarë të fuqishëm si Shtetet e Bashkuara, Kina, India, Rusia, me kriza që variojnë nga Lindja e Mesme në Indo-Paqësorin, qytetarët italianë, gjermanë, francezë apo sllovenë mund të mbrohen vetëm nga diçka që tashmë ekziston dhe ky quhet Bashkimi Evropian. Prandaj mbrojtja dhe ushtria e përbashkët duhet të bëhen fakt konkret. Nuk mund të shtyhet më. Rezistenca kombëtare ndaj bashkimit të këtyre 'copave të sovranitetit' do të jetë gjithmonë e fortë, por nëse mbetemi të ndarë ne do të jenë gjithmonë harabela të pambrojtur në një botë ku fluturojnë shqiponjat," tha Tajani.

Tajani po ashtu tha se vendet anëtare të BE-së duhet të përmirësojnë udhëheqjen e tyre dhe të krijojnë një presidencë të vetme, e jo sikurse struktura aktuale, ku Këshilli Evropian ka president dhe Komisioni Evropian po ashtu ka president.

“Është gabim të emërosh liderë në BE. Brukselit i duhet vetëm një president”, tha Tajani, i cili mori drejtimin e Forza Italia vitin e kaluar pas vdekjes së Silvio Berlusconit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025