Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla u shpreh se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po e humb betejën me kryeministrin Albin Kurti. Ai potencoi se Vuçiq po i kthehet luftës hibride që siç potencoi ai, përmes mekanizmave që ka në kontroll të tentojë të nxisë trazira në Kosovë.
Ai si nxitje të trazirës e konsideroi edhe protestën e sotme të veteranëve, e cila do të mbahet kundër qeverisë.
Ai u shpreh i çuditur që protesta e veteranëve të qëlloi në të njëjtën ditë kur, siç shkroi ai, në Beograd po organizohet protestë kundër Vuçiqit.
“Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiqit, nga dora e Vuçiqit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë. Dhe tani si rezultat i keqinterpretimeve të qëllimta e patëm një skenë dhune të provokuar në parlamentin e Kosovës, dhe si të mos mjaftonin ato skena që portretizuan Kosovën si vend jostabil në të gjitha mediat ndërkombëtare, sot ka edhe një protestë të thirrur para qeverisë. Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njejtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiqit. Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë.”, shkroi ministri tutje në Facbook.
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbajnë sot nga ora 18:00 protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Në njoftim është potencuar se do të protestohet kundër skandaleve qeveritare.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar mbrëmë (13 korrik) Projektligjin për pagën minimale, në të cilin nuk janë përfshirë veteranët./KosovaPress