Sveçla: Projektligji për pagat krijon sistem të unifikuar dhe sjellë barazi në pagë
Lexohet për: 3 min.
317142192_1227490744863086_8335222944831020192_n-e1669979613926-2
2 vite më parë
Linku u kopjua

Komisioni parlamentar për Administratë Publike të premten miratoi në parim Projektligjin për pagat, i cili ka kosto buxhetore 745 milionë euro.

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla ka arsyetuar Projektligjin për pagat, duke thënë se ky projektligj, për herë të parë krijon një sistem të unifikuar të pagave dhe sjellë barazi në pagë tek të punësuarit në sektorin publik, të cilët paguhen përmes buxhetit të Kosovës.

Ministri Sveçla bëri të ditur se kostoja buxhetore e këtij Projektligji është 745 milionë euro dhe sipas tij ky projektligj është buxhetuar me projektbuxhetin e vitit 2023. Ndërsa për vlerën e koeficientit të pagës, ai tha kjo propozohet nga Ministria e Financave me buxhetin vjetor.

“Kostoja buxhetore do të jetë 745 milionë euro, është planifikuar me buxhetin e 2023. Për shumë e koeficientit e kemi sqaruar disa herë. Jemi dëshmitar se ka pagë të njëjtë jo për punë të njëjtë në nivel lokal. P.sh, kryetari i kryeqytetit të Kosovës, ka pagë të njëjtë me një kryetar komune, sikur një kryetar i një komune të vogël, e cila mund të themi lirisht se është fshat. Pra, këtu është dallimi, kurse për sa i takon zyrtarëve civil nuk ka dallim në paga”, theksoi Sfeçla.

Kryetari i Komisionit, nga radhët e Vetëvendosje Valon Ramadani tha se projektligji në fjalë zvogëlon hendekun e pabarazisë për punonjësit që marrin pagë nga shteti.

“Ky projektligj zvogëlon hendekun e pabarazisë për të gjithë punonjësit e administratës që marrin pagë nga shteti”, tha ai. 

Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë se mos përcaktimi i vlerës së koeficientit për paga rritë pasigurinë për punëtorët.

“Për vlerën e koeficientit, nuk ka caktim të shumës. E dimë që është në diskrecion të Ministrisë së Financave, megjithatë kjo mundëson një lloj pasigurie tek sektori publik. Sepse në kohë fushatash mund të ndikohen që të ketë rritje”, theksoi ai.

Deputeti nga LDK, Agim Veliu theksoi se Ligji për pagat është i domosdoshëm për vendin dhe pret që të jetë në përputhe me parimet e barazisë dhe mos diskriminimit, në mënyrë që të mos përfundojë në Kushtetuese.

“Ky projektligj ka qenë i domosdoshëm përkundër qeveria e Kosovës është vonuar dhe presim që sa më shpejt t’i kalojë procedurat e nevojshme dhe të aprovohet në përputhje me parimet e barazisë dhe mos diskriminimit, në mënyrë që të mos përfundoi ky ligj edhe një herë në Kushtetuese”, theksoi Veliu.

Më këtë projektligj, pagën më të lartë në sektorin publik do ta ketë presidenti i vendit.

Ky komision sot po ashtu ka miratuar edhe Projektligjin për zyrtarë publikë.

Këto dy projektligje pritet që më 8 dhjetor të shqyrtohen në seancën plenare të kuvendit të Kosovës. /I. Shabani/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024