Gjykata Supreme e Kosovës për çështjen juridike në konflikt administrativ, ndërmjet paditësit Ipko Telecommunications L.L.C dhe të paditurës Qeveria e Kosovës, përkatsisht Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka nxjerrë aktgjykim me të cilin aprovon si të themeltë kërkesëpadinë e paditësit.
Sipas njoftimit, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar nën-paragrafin 1.2 të paragrafit 1 dhe nën-paragrafin 3.3 të paragrafit 3 të nenit 61 të Udhëzimit Administrativ MF-Nr.03/2015 për zbatimin e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), të publikuar në Gazetën Zyrtare më 18 shtator 2015.
“Në këtë kontekst, paditësi kishte paraqitur interes juridik të ligjshëm për shfuqizimin e dispozitave të kontestuara, duke theksuar se më 3 korrik 2025, në njërën nga depot e tij në Zonën Industriale kishte shpërthyer një zjarr aksidental, i cili kishte shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në mallrat për shitje, asetet e biznesit dhe ndërtesën e kompanisë. Këto pasuri kishin qenë të siguruara në kompaninë e sigurimeve Triglav d.d., me seli në Lubjanë, dhe paditësi pritej të realizonte kompensim për dëmin e shkaktuar”, thuhet në njoftim.
Sipas pretendimeve të paditësit, në rast të realizimit të këtij kompensimi, ai do të detyrohej në mënyrë të kundërligjshme, në bazë të dispozitave të kontestuara të Udhëzimit Administrativ, të paguante TVSH mbi shumën e përfituar nga kompensimi i dëmit.Gjykata Supreme, në arsyetimin e saj, vlerësoi se këto dispozita krijonin një bazë të re tatimore që nuk është e paraparë me ligj dhe për rrjedhojë tejkalonin kompetencat e organit që i ka nxjerrë.
Sipas Gjykatës Supreme, Ligji për TVSH përcakton qartë se objekt i tatimit janë vetëm furnizimet e mallrave dhe shërbimeve të kryera kundrejt pagesës, ndërsa kompensimet e dëmeve nga sigurimi nuk përbëjnë furnizim ekonomik, por kanë karakter kompensues dhe synojnë rivendosjen e gjendjes së mëparshme.