Supremja i refuzoi si të pabazuara të pesë ankesat ndaj rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Supremja i refuzoi si të pabazuara të pesë ankesat ndaj rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve
Gjykata-Supreme1234
07/07/2026 - 16:37
Linku u kopjua

Gjykata Supreme i refuzoi si të pabazuara të pesë ankesat ndaj rezultateve përfundimtare.

Ndaj rezultateve përfundimtare ishin ankuar Lista Serbe, Emilja Rexhepi dhe dy kandidatë për deputetë nga PDK-ja.

Lista Serbe pati pretenduar se subjekti politik GI – Za Slobodu, Pravdu i Opstanak me vota në komunat dhe vendvotimet me shumicë shqiptare ka cenuar qëllimi kushtetues të përfaqësimit autentik të komunitetit serb. Supremja ka theksuar se sipas Kushtetutës, vota është personale, e lirë, dhe e fshehtë dhe se lista e votuesve nuk përmban të dhëna për përkatësinë etnike të votuesve.

Supremja e ka refuzuar si të pabazuar edhe ankesën e Emilja Rexhepit kundër Nova Demokratska Stranka dhe ZSPO-së. Ajo pati kërkuar anulimin e votave për këtë subjekt me pretendimin për mospërputhje mes strukturës demografike të vendbanimit dhe rezultatit zgjedhor.

Supremja i ka refuzuar edhe ankesat e Bekim Haxhiut dhe Qëndrim Kryeziut të Partisë Demokratike të Kosovës që patën kërkuar rinumërim të votave të kandidatëve të këtij subjekti politik. Në vendim, Supremja ka thënë se nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të arsyetuar rinumërimin e se korrigjimet e evidentuara në procesin e rinumërimit të pjesshëm nuk kanë qenë të mjaftueshme për të krijuar bazë se ka parregullsi.

Gjykata Supreme kësisoj i ka hapur rrugë certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar për në orën 11 të së mërkurës mbledhjen e radhës me një pikë të vetme në rend dite.

Bazuar në rezultatet përfundimtare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.13 për qind të votave, duke siguruar 53 ulëse në Kuvend, Partia Demokratike 19.44 për qind, përkatësisht 22 ulëse, Lidhja Demokratike 16.69 për qind, përkatësisht 18 ulëse, ndërsa Aleanca me 6.74 për qind, që ia kanë siguruar 7 ulëse në Kuvend. 20 ulëse të tjera janë ndarë mes partive të komuniteteve.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026