Sulmet ruse vrasin nëntë persona në Ukrainë dhe dëmtojnë një katedrale historike
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Sulmet ruse vrasin nëntë persona në Ukrainë dhe dëmtojnë një katedrale historike
Nëntë persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në një valë sulmesh ruse në Ukrainë, gjatë së cilës një monument i rëndësishëm fetar në Kiev është përfshirë nga zjarri, sipas raportimeve.
Katër persona u vranë në sulmet në Kiev, ndërsa pesë punonjës të shërbimeve emergjente humbën jetën teksa po përpiqeshin të shuanin një zjarr të shkaktuar nga një sulm rus në qytetin verilindor Kharkiv, kanë bërë të ditur autoritetet ukrainase.
Katedralja e Fjetjes së Shenjtë, e shekullit të 11-të, është dëmtuar rëndë në atë që kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, e quajti “një sulm brutal ndaj popullit dhe trashëgimisë sonë”.
Ndërkohë, një sulm me dron ukrainas në qytetin rus Tula, në jug të Moskës, ka vrarë tre persona dhe ka plagosur tre të tjerë, përfshirë një fëmijë njëvjeçar, kanë thënë autoritetet.
Sulmet me dronë dhe raketa kanë shkaktuar zjarre në ndërtesa dhe automjete, si dhe kanë lënë më shumë se 140,000 persona pa energji elektrike në kryeqytetin Kiev, ka thënë kryetari i qytetit, Vitali Klitschko. Pjesa më e madhe e Ukrainës ka qenë nën alarme për sulme ajrore të hënën, shkruan BBC, përcjell KosovaPress.
Sulmet në Kiev, të cilat kanë goditur disa ndërtesa banimi, kanë lënë të paktën 23 të plagosur, ndërsa pesë të tjerë janë plagosur në Kharkiv.