Sulmet ruse në Kiev, Zelensky e ndërpret vizitën në Irlandë
Dëgjoje me zë...
Sulmet ruse në Kiev, Zelensky e ndërpret vizitën në Irlandë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka ndërprerë vizitën e tij në Irlandë, pasi forcat ruse sulmuan kryeqytetin ukrainas Kiev të enjten, shkruajnë mediat ndërkombëtare.
Nga ky sulm mbetën të paktën 10 të vrarë ndërsa u plagosën mbi 50 të tjerë. Rusia goditi ndërtesa banimi, derisa sulmin e quajti një hakmarrje për sulmet e fundit ndaj infrastrukturës së saj civile, transmeton KosovaPress.
Zelensky kishte paralajmëruar më parë për një sulm të mundshëm gjatë natës dhe tha se po e shkurtonte vizitën e tij në Dublin për fillimin e mandatit gjashtëmujor të Irlandës në presidencën e radhës të BE-së.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se 10 persona u vranë, ndërsa dëmet përfshinin gjashtë kate të një pallati apartamentesh që ishte shembur pjesërisht pas një goditjeje të drejtpërdrejtë nga një predhë ruse.
Tymur Tkachenko, kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit, tha se 56 persona, përfshirë dy fëmijë, u plagosën dhe tre duzina vende në të gjithë qytetin ishin dëmtuar në sulme. “Armiku edhe një herë ka shënjestruar qëllimisht lagjet e banimit dhe ka vrarë civilë. Kemi pësuar dëme të mëdha dhe një numër të konsiderueshëm viktimash, përfshirë fëmijë”, shkroi ai në Telegram.