“Sulmet në Banjskë dhe ai në Ibër-Lepenc më të fuqishmet që nga paslufta”
Intervista
Lexohet për: 4 min.
16 orë më parë
Linku u kopjua

Sulmi terrorist mbrëmjen e së premtes në Ibër-Lepenc dhe ai i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, po konsiderohen si aktet terroriste më të fuqishme që nga paslufta në Kosovë.

Kështu thotë hulumtuesi në Institutin për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Gurakuç Kuçi në një intervistë për KosovaPress, derisa potencon se sulmi në Ibër-Lepenc, është bërë nga profesionistë të kësaj fushe. Sipas tij, eksplozivi i përdorur është vështirë të gjendet në tregun e zi të përdoret nga njerëz jo profesionistë.

“Sulmi më i madh terrorist mund të konsiderojmë se ishte Banjska, por kjo është një nga sulmet terroriste më të mëdha terrorist që i ka ndodhur Kosovës për shkak se kishte një qëllim të qartë dhe qëllimi ishte që të shkaktojë dëme në furnizim me energji dhe ujë të pijshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës. Dy sulmet më të fuqishme që nga pas lufta ose që nga shpallja e pavarësisë është Banjska dhe kjo. Është në vazhdën e iniciativave të luftës hibride që janë duke i bërë Rusia dhe Serbia. Jemi dëshmitarë që para pak ditëve Rusia bëri një iniciativë të ngjashme kundër furnizimit me energji elektrike në Ukrainë dhe të njëjtën gjë e përsëriti Serbia kundër Kosovës…Ky ishte një plan i mirëmenduar nga pala serbe dhe vetë eksplozivi i cili është gjendur aty është një eksploziv që është shumë i vështirë të gjendet në duar të lira, në tregun e zi apo të përdoret nga njerëz të cilët janë gjysmë profesionistë apo jo profesionistë. Jemi dëshmitarë që kjo është  ka njerëz profesionistë…Qëllimi është që të destabilizojë Kosovën dhe sidomos qytetarët serb mos t’i lejojë në asnjë masë të integrohen në institucionet e Republikës së Kosovës”, thotë Kuçi.

Kuçi për KosovaPress potencon se qytetarët e Kosovës janë të kërcënuar nga çdo lloj helmimi, duke përfshirë atë të ujit dhe ajrit.

“Ne jemi të kërcënuar nga çdo lloj metode siç është helmimi i ujit por edhe helmimet e ndryshme që mund të ndodhin. Duhet të mbrohemi edhe nga helmimet e ndryshme që mund të vijnë edhe nëpërmjet ajrit. Ne jemi dëshmitar qe përtej një shpërthimi të zakonshëm ata nuk kanë mundur të bëjnë shumë. Sigurisht kanë pasur tendenca edhe të helmimet të ujit por institucionet që merren me këtë fushë, ata vazhdimisht bëjnë teste të vazhdueshme. Përderisa në vitet e 90 nuk ka pasur siguri në këtë fushë, sepse nuk kanë qenë këto institucione në duart e Kosovës, kësaj radhe ujësjellësit janë në duart më të sigurta”, thekson Kuçi.

Ndërkaq, Kuçi vlerëson se nuk është e nevojshme që ushtria të reagojë në këtë rast apo të vendoset në vendin ku ndodhi shpërthimi, pasi sipas tij, “nuk është gjendje lufte siç do të dëshironte Serbia të arrinte”.

Gjatë mbrëmjes të së premtes në veri të Kosovës, një shpërthim dëmtoi një kanal të ujit që furnizon dy termocentrale me qymyr, përgjegjëse për prodhimin e pjesës më të madhe të energjisë elektrike të vendit.

Autoritetet në Kosovë thanë se për shkatërrimin e kanalit të ujit në Ibër Lepec janë përdorur 15 kilogramë eksploziv.

Lidhur me këtë, pati reagime nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, të cilat e dënuan këtë sulm.

Në një konferencë urgjente, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ky sulm është terrorist dhe i organizuar nga bandat kriminale të mbështetura nga Beogradi zyrtar.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024