Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka pranuar që ai ta shkruaj draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Sipas Kurtit, ndërmjetësit e dialogut kanë potencuar nevojën që fillimisht draft-statuti i Asociacionit të shkruhet nga ekipi menaxhues i caktuar nga marrëveshjet e kaluara në dialog.
“Në takimin e Ohrit të datës 20 mars, kam ofruar që të shkruaj unë draft-statutin e Asociacionit, por me ato tri shtyllat parimore që duhet të pranohen paraprakisht. Një gjë e tillë u refuzua dhe mua mu tha nga ndërmjetësit se këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues si pasojë e marrëveshjeve të mëhershme në dialogun e Brukselit në ato vitet para një dekade. Pra tash i përket ndërmjetësit të përcaktojë agjendën e takimit të radhës me datën 2 maj, ndërsa unë do të takojë ndërmjetësin Lajçak në një konferencë ndërkombëtare në të cilën do të marrë pjesë në këtë fundjavë. Unë kam shprehur gatishmërinë ta bëjë këtë, por aso kohe mu ka thënë se njëherë duhet të bëjë ekipi menaxhues. Ai ekip menaxhues edhe statusin edhe punën e ka jo aq të njohur, megjithatë ky ka qenë qëndrimi i ndërmjetësimit. Ndërsa, unë si kryeministër i Kosovës kujdesem për kushtetutshmëri, ligjshmëri dhe që gjithçka të jetë në funksion me qëllimet dhe parimet tona”, tha ai.
Kurti shtoi se Qeveria e Kosovës nuk e ka asnjë anëtarë në këtë ekip menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit. Madje ai tha se ky ekip nuk i është përgjigjur asnjëherë thirrjeve të institucioneve të Kosovës.
Ndërkaq, potencoi fushatën e egër që Serbia e ka pasur kundër serbëve në Kosovë për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore.
Këto komente Kurti i bëri pas publikimit te draft-programit kombëtar për shkencë./KosovaPress