Kosova dhe siguria e saj është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë, tha kryediplomatja Elisa Spiropali.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, gjatë qëndrimit në Kosovë të mërkurën, paralajmëroi intensifikim të lobit shqiptar për njohje të reja për Kosovën, derisa i kërkoi Bashkimit Evropian t’i japë statusin Kosovës për anëtarësim në union. Ajo, pas takimit me homologun e saj nga Kosova, Glauk Konjufca, paralajmëroi se gjatë vitit 2026 do të rikthehen mbledhjet e përbashkëta mes dy qeverive, pas katër vitesh pauzë.
Spiropali në konferencë të përbashkët për media me Konjufcën tha se siguria e Kosovës është prioritet mbi prioritete për Shqipërinë.
“Prania e NATO-s dhe roli i KFOR-it mbeten faktorë të pazëvendësueshëm stabiliteti në një Evropë të trazuar nga lufta dhe tensionet gjeopolitike. Siguria nuk është e garantuar, ajo kërkon vigjilencë, koordinim dhe angazhim të vazhdueshëm. Siguria e Kosovës është prioritet mbi prioritete për Shqipërinë dhe siguria e Kosovës është siguria e vetë Shqipërisë. Kjo nuk është figurë retorike, është vlerësim strategjik dhe ne duam ta shohim Kosovën sa më pranë strukturave të NATO-s. Marrëveshja e përbashkët mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë është një element i rëndësishëm, jo vetëm për trajnimet e përbashkëta dhe sigurinë e përbashkët, por edhe për afrimin e Kosovës me strukturat e NATO-s. Mbajtja e samitit të NATO-s në vitin 2027 në Tiranë duhet të jetë një mundësi e shkëlqyer për afrimin e Kosovës me strukturat euroatlantike”, theksoi ajo.“Njohja reciproke është e vetmja bazë e qëndrueshme për një marrëdhënie të shëndoshë mes dy shteteve dhe në rajonin tonë, të lirë nga tensionet e trashëguara. Serbia duhet të pajtohet me këtë realitet, jo si akt presioni, por si hap i domosdoshëm për normalizim të vërtetë. Kjo marrëveshje duhet t’i hapë përfundimisht Kosovës rrugën për anëtarësim të plotë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Në këtë rrugë, Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Kosovën me këmbëngulje, me koordinim të plotë dhe me aleatët tanë, me strategji e qartësi të plotë”, shtoi ajo.
Sa i përket bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë, ajo paralajmëroi se gjatë vitit 2026 do të mbahet mbledhja e përbashkët mes dy qeverive.
“Në këtë frymë diskutuam sot për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, për koordinim të plotë në politikën e jashtme dhe për forcimin e ndërtimit të kapaciteteve tona të brendshme diplomatike... Kosova është e përkushtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të cilat ne i kemi nënshkruar gjatë viteve me Republikën e Shqipërisë e ato janë mbi 140, dhe përafrimin e dy shteteve tona e po ashtu edhe të shoqërive tona në çdo fushë të jetës”, tha ai.