Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, bwn tw ditur se po zhvillon mbikëqyrje intensive në tregun e derivateve të naftës për zbatimin e vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve.
Sipas njoftimit, kontrollet po realizohen në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të tregut dhe lidhen me zbatimin e Vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse, të nënshkruar nga ministrja Mimoza Kusari Lila më 4 mars 2026. Ky vendim synon mbrojtjen e konsumatorit, rritjen e transparencës, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme dhe parandalimin e çrregullimeve në treg, raporton KosovaPress.
Sipas të dhënave zyrtare nga evidencat e Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së hënë (9 mars 2026) ka qenë 1.44 euro për litër për naftë (dizel) dhe 1.17 euro për litër për benzinë.
Ndërkohë, bazuar në monitorimin e tregut vendor nga dita e shtunë deri më tani, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë variojnë nga 1.44 deri në 1.55 euro për litër për naftë (dizel), ndërsa për benzinë nga 1.26 deri në 1.31 euro për litër.Marzha tregtare nënkupton diferencën ndërmjet çmimit të shitjes dhe çmimit të furnizimit.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin dhe inspektimet intensive në tregun e derivateve të naftës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës. Në rastet kur identifikohen parregullsi, mosrespektim i vendimit për marzhën apo praktika që mund të dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, do të ndërmerren masa rigoroze në përputhje me legjislacionin në fuqi.