Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali deklaroi se Kosova shpejt do të jetë një flamur më shumë në selinë e OKB-së dhe një yll në flamurin evropian. Ajo tha se Tirana zyrtare është e brengosur që Kosova ende nuk e ka fituar statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Në mbledhjen e përbashkët të dy kuvendeve në Prishtinë, kryeparlamentarja tha se shqiptarët kanë dëshmuar vendosmëri të palëkundur në rrugëtimin drejt shoqërisë moderne.
Më tej, ajo tha se marrëveshja e nënshkruar mes kuvendeve në vitin 2022 ka institucionalizuar bashkëpunimin.
Kryeparlamentarja Spiropali tha se Kosova është prioritet i Shqipërisë dhe se suksesi i njërës republikë është kusht i parë i domosdoshëm edhe për republikën tjetër.“Ne jemi të brengosur që Kosova nuk e ka fituar ende këtë status, që sipas një gjykimi të përgjithshëm e ka merituar më herët. Ne nxisim pesë vendet e vetme të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur ende, të pranojnë se çfarë mund të bëhet tani, nuk është mirë të lihet për më vonë, se herët a vonë është e qartë që Kosova do të jetë edhe një Flamur më shumë në selinë e OKB-së dhe një yll më shumë në flamurin evropian. Shqipëria ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ne besojmë se Republika e Kosovës i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe pranimi i saj si anëtarja e 47 e Këshillit të Evropës është vetëm çështje kohe dhe do të ndodhë shpejt”, përfundoi ajo.
Sfidat e Kosovës, siç theksoi ajo, janë edhe të Shqipërisë që burojnë nga e drejta e natyrshme dhe kushtetuta.