Mundësia për progres në takimin e radhës në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 14 shtator në Bruksel, është minimale thonë analistët politikë. Sipas tyre, takimi i dialogut është i mirëpritur, mirëpo çdo vonim i depërshkallëzimit të plotë në veri dhe mbajtjes së zgjedhjeve atje, do të zvarrisë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit. Megjithatë, potencojnë se ka shenja pozitive që mund të ketë intensifikim të procesit të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Analisti politik, Arton Demhasaj thotë për KosovaPress, se nuk pret që takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq të prodhojë diçka konkrete për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.
Megjithatë, ai është optimist se nëse ka presion më të madh të aleatëve ndërkombëtar, ShBA-së dhe BE-së, do të ketë mundësi që para zgjedhjeve në këto dy vende që do të mbahen vitin e ardhshëm, të arrihet normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, më skeptik për takimin e 14 shtatorit është analisti tjetër politik, Dorajet Imeri. Ai thotë për KosovaPress, se nuk pret progres në dialog pa u shpallur zgjedhjet në veri.
Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 2 maj, nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes dy vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.