Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut Arben Fetai ka kritikuar ministrin për Marrëdhënie mes Bashkësive Ivan Stoilkoviq për lejimin e deklarimeve antiBE dhe antiNATO, njëherësh pro-ruse dhe pro-serbe të kreut të Republikës së Serbisë Milorad Dodik.
Deklarimet nxitëse të Dodik ishin bërë para dy ditësh në një ceremoni të organizuar nga ministri Stoilkoviq në Shkup.
“Dodik është një politikan që nxit konflikt, mohon gjenocidin në Srebrenicë, minon sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe mbështet politika që destabilizojnë rajonin. Për më tepër, ai është i sanksionuar nga SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar për korrupsion dhe veprime që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Një person i tillë nuk mund dhe nuk duhet të marrë hapësirë në vendin tonë. Shkupi është dhe duhet të mbetet qytet i dialogut, bashkëpunimit dhe paqes, jo platformë për promovimin e ideve antiBE, antiNATO dhe antidemokratike që kërcënojnë të ardhmen e rajonit”, tha Fetai.
“Uroj që këto të jenë komente të fundit të ministrit në fjalë sepse ai përveç që duhet të ketë përgjegjësinë e pozitës që e mban, duhet të ketë edhe ndjeshmërinë e konceptit multietnik që përfaqëson Maqedonia. Ai nuk është vetëm ministër i pakicës serbe, por është ministër i të gjitha komuniteteve, duke nisur nga maqedonasit, shqiptarët, turqit, etj. Uroj që të sillet kështu”, tha Kasami.
Veprimin e Stoilkoviq, dhënien e dekoratës “Vojvoda Vuk” për zëvendsëskryeministrin dhe fjalimin e Dodik në Shkup, nga BDI-ja e cilësojnë provokim dhe të papranueshëm.
Stoilkoviq njihet edhe mik i afërt i ish-agjentit serb Goran Zhivaljeviq i cili më 27 prill 2017 ishte futur gjatë dhunës në Kuvend, incident diplomatik pas të cilit u tërhoq nga BIA serbe.
Gjenocidin e Srebrenicës, në një postim në profilin e tij në rrjetet sociale e quajti “Diznilend nekrofil”, në periudhën kur ishte deputet në Kuvend.
Stoilkoviq kishte thurur lavde për terroristët e vrarë serbë në Banjskë të Zveçanit.
Ai ishte i vetmi që refuzoi pjesëmarrjen në mbledhjen e përbashkët të qeverive Kosovë-Maqedoni.
Dodik në ceremoninë e organizuar në Shkup ka thurur elozhe Rusisë dhe është shprehur kundër NATO-s dhe BE-së. Nga fjalimi i Dodik u distancua kryeministri Hristijan Mickoski. “Nuk prisja që ai të keqpërdorte ngjarjen,” tha Mickoski.
Në ngjarje, i pranishëm ishte edhe ambasadori rus Sergej Bazdnikin, si i ftuar i veçantë në akademinë e organizuar nga Stoilkoviq.