Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar Lëvizjen Vetëvendosje me 39.500 euro dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës me 9.500 euro për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore, sipas një vendimi të 29 janarit.
Sipas vendimit, LVV-ja dënimin më të rëndë e mori për shkak të deklaratave të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, e cila gjatë një tubimi në Deçan, e quajti kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj “gjeneral të vetëshpallur”.
Me 4 mijë euro PZAP e ka dënuar edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për vendosjen e postareve të kandidatëve për deputet në rrugë publike në Pejë. Krahas kësaj shume, për vendosje të posterëve në hapësira publike dhe në stacionin e trafikut publik në Prishtinë, PZAP e dënoi LDK edhe me 5 mijë e 500 euro të tjera./ KosovaPress/