Ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Serbisë, Slaviša Kokeza, dyshohet se kishte diskutuar organizimin e një fushate kërcënimesh dhe frikësimi ndaj ish-kapitenit të Manchester United, Nemanja Vidić, pasi ky i fundit kishte kritikuar publikisht drejtuesit e futbollit serb. Kjo bëhet e ditur në një hetim të publikuar nga OCCRP dhe media investigative serbe KRIK, i bazuar në mesazhe të koduara të platformës Sky ECC.
Sipas hetimit, në fund të vitit 2020, Kokeza kishte kërkuar që Vidiqit t'i dërgohej mesazhi se "duhet të qëndrojë larg federatës ose do të përfundojë në një hendek", ndërsa në komunikime të tjera flitej edhe për kërcënime ndaj familjes së tij nëse ai do të tentonte të merrte drejtimin e federatës. Në biseda përmendet edhe mundësia e angazhimit të personave me lidhje me huliganë dhe krimin e organizuar për ta frikësuar ish-futbollistin, madje thuhet se ishte diskutuar vendosja e një gjurmuesi në automjetin e tij në Milano. Megjithatë, hetimi thekson se nuk ka prova se planet u zbatuan.
Vidiq deklaroi se nuk kishte qenë në dijeni të këtij komploti dhe se autoritetet serbe nuk e kishin paralajmëruar asnjëherë. "Kjo është shkatërruese për shoqërinë. Kush do të mbajë përgjegjësi nëse nesër më ndodh diçka?", tha ai për gazetarët që realizuan hetimin. Nga ana tjetër, Kokeza nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, ndërsa prokuroria serbe deklaroi se ai nuk ka qenë objekt i ndonjë hetimi penal.
KosovaPress